REAGIMET E NIMABEGUT, GJELOSHAJ DHE CAMAJ

Mbas deklaratës së djeshme të Forumit Shqiptar në lidhje mos dhënien e dorëheqjës nga pozita e deputetit, reagoi përfaqësuesi i Forcës së Re Demokratike, Genci Nimanbegu. Po ashtu me kumtesë për media dolën: kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Nikollë Camaj. Në vazhdim ju sjellim deklaratat e tyre në tërësi:

Genci Nimanbegu

A MUNDET VALLË TË FESTOHET FITORJA NË TUZ ME FLAMUJ SHQIPTARË DHE TË UÇK-SË DHE DEPUTETI PAS 10 DITËSH TË VOTOJ FUTJEN E KATËR MINISTRAVE NGA FRONTI DEMOKRATIK NË QEVERI?

Një veti e bukur e shqiptarit është për ta mbështetur njëri-tjetrin në punë të mira dhe për ta ndaluar atë nga punët e këqija.

I kam ndenjë pas Nikës tërë kohës, e edhe kur i bëri barikadë policëve të Krivokapiqit dhe Dritanit e Nikolla rrinte në zyrë. E kam kuptuar Nikollën edhe kur ishte kundër Nikës. I kam thënë Marashit për të dalë nga mbledhja e Qeverisë kur është votuar Marrëveshja me Kishën Orthodokse Serbe.

Gjatë këtyre 10 ditëve, njëri ka provuar për të më bindë për votën që është dashur ta jap sot për të futur 4 ministra të Frontit në Qeveri, kurse tjetri më kërkonte dorëheqjen për ta siguruar votën për këtë qeveri nëse unë jam kundër.

Nga çirrja në Facebook e media pas shpërndarjes së Parlamentit sot, sqarohet se paska qenë diçka e madhe që unë ia paskësh prishur. Ama, jam i bindur se nuk ka qenë asgjë fisnike dhe në interes të shqiptarëve sepse do e kishte mbështetur edhe Kosova, edhe Shqipëria zyrtare edhe SHBA-te edhe shtetet e BE-së.

Pyes hapur: a e keni njoftuar faktorin ndërkombëtar për qëllimin e Forumit për të futur Frontin Demokratik Serb në Qeveri? Po diasporën të cilën e angazhoni kaq fort në fushata a e keni pyetur?

A mundet vallë të festohet fitorja në Tuz me flamuj shqiptarë e të UÇK-së dhe deputeti pas 10 ditësh të votoj futjen e katër ministrave nga Fronti Demokratik në Qeveri? Mbase mundet, por jo me votën time! Jo me votën e Listës shqiptare që ndanë edhe emrin tim Genci Nimanbegu – Nik Gjeloshaj.

Zoti i don shqiptarët, drejtësinë dhe të drejtën sepse me qëndrimin tim kam respektuar në përkipmëri marrëveshjen e Listës shqiptare ku thuhet se „nëse merren dy funksione politike, ministri i takon Forumit kurse deputeti Forcës së Re Demokratike”. E me këtë edhe kam refuzuar që shqiptarët të përzihen në çorbat e dendura të politikës së pistë që përzihet nga Beogradi. Ky kelk me këtë çorbë të Beogradit, nuk i takon për ta pirë e lakmuar ne shqiptarët qoftë edhe për 100 vende pune në qeverinë që ka përkrahjen e Vuçiqit dhe Dodikut . Unë po e provoj kelkun e fyerjeve dhe mundimeve, ama rrenat ia kam lënë brenda vathës së Forumit.

Kam votuar që Mali i Zi të futet në NATO, që Tuzi të bëhet Komunë e pavarur edhe pa bërë referendum, kam votuar planin hapsinor të Malit të Zi, shpëtimin e „Kohës javore”, kthimin e Valdanosit dhe shumë vendime e ligje të tjera. I kam ndenjë pranë secilit shqiptar nga Ulqini deri në Rozhajë. Ama sot jam shumë krenar dhe i lumtur që nuk do të sjell mallkimin e brezave që për një grusht funksionesh t’i bëhemi partner Vuçiqit e Dodikut e t’ia sjellim shpinën Kosovës, Shqipërisë, diasporës dhe SHBA-ve.

Genci Nimanbegu, kryetar i Forcës së Re Demokratike

Nik Gjeloshaj

Nga fundërrina e pamoralshme dhe rrënacake Genc Nimanbegu nuk pritet tjetër vetëm të pavërteta dhe manipulime për të qendruar edhe ndonjë muaj më shumë në vendin e deputetit në të cilin është plot 14 vite, pa asnjë rezultat konkret për shqiptarët, vetëm duke mashtruar e siguruar privilegje për vetën.

Karrieristi i pa ndershëm është dashur prej në maj, e ateherë në dhjetor të vitit 2022 të jap dorëheqje, ndërsa mbrëmë del me deklaratë se kinse ky paska shpëtuar Malin e Zi nga Serbia dhe Rusia për të mbrojtur mashtrimin e tij. Një gjë e pritur nga mashtruesi i këtij nivelit.

Asnjë lidhje me mosrespektimin e mandatit nuk kanë ngjarjet e fundit politike, por e ndjej si obligim ndaj votuesve me sqarua kush është njeriu më i pa ndershëm dhe manipulator që kam takua në skenën politike.

Për veprimet e tij antishqiptare, që i prezanton kinse me mbrojtë Shqipërinë, në të cilën ka një vit që kërkon takime dhe nuk e pranon askush, sepse e dijnë se kush është dhe çfarë fundërrinët është në pyetje. Për ta mbrojtur postin e deputetit kjo fundërrinë është në gjendje të bëjë gjithçka, edhe në aktet më të ulta të pamoralshme.

Mandatin në zgjedhje parlamentare e kam fituar unë, si bartës i listës, ku për shkak se kam vendosur mes dy funksioneve, deputet apo kryetar komune, ju kemi lëshuar juve që postin e deputetit ta ushtroni për dy vite, duke besuar se nuk jeni kaq mashtrues dhe i pamoralshëm. Të kishe fytyrë e nder dhe moral familjar, duhet të më falenderoni, që pa vota dhe perkrahje nga partia juaj dhe me djersën time dhe të kolegëve te mi jeni bërë deputet, ndërsa ti shpif dhe akuzon, por edhe në këtë rast më së miri tregoni kush jeni dhe çka jeni, definitivisht person i pa ndershëm.

Aktet e fundit antishqiptare, me largua shqiptarët nga vendimmarrja e për të kthyer pro-rusët do të shihën shumë shpejt, për dy – tre muaj do të jetë e qartë pse ai i bëri aktet e fundit në parlament dhe për llogari të kujt, e unë ju them me përgjegjësi të plotë se i bëri në sherbim të atyre për të cilët na akuzon neve, por këtë ai nuk e ka bërë pa kompenzim…

Ai thotë se kinse paska thirrur e ndikuar në Marashin Dukaj me dal nga mbledhja e qeverisë mos me përkrahë marrëveshjen me Kishën Serbe, veç të pafytyrët mundën me shpif kështu, apo harron se po ai bëri marrëveshje vëllazërore e ideologjike me përkrahësin më të flakët të Kishës Serbe, Fatmir Gjekën.

Çka ke avancuar ti për shqiptarët e çka unë e tregojnë qytetarët përmes votave më së miri, ku pothuajse e ke sjellur Forcën në shuarje, e ndoshta të “shpëton” Fatmir Gjeka me Kishën Serbe, për të cilën edhe e luajte këtë lojën e fundit per t’i sjellur pa ndikim nga të tjerët në pushtet përkrahësit e tyre dhe te minimizoni ndikimin e shqiptarve në Mal të Zi.

Ju betohem se ky person për të mbrojtur karrigën është në gjendje gjithçka të bëjë, unë nuk do të ulëm në nivelin e tij të edukatës së ulët familjare të shkruaj për bisedat private dhe kërkesat e tij, por do të ndali me kaq dhe betohëm se këtë fundërrinë do e çoj në historinë politike të shqiptarëve.

Për të demaskuar këtë tradhëtar e fundërrinë, Ju lutëm të shikoni fotot me poshtë nga shkresat zyrtare të datave 22 dhjetor 2022 dhe 5 janar, apo ndoshta edhe ateherë e kan ndal rusët e serbët këtë fundërrinë të respektojë nënshkrimin e vetë.

Nik Gjeloshaj, kryetar i Alternativës Shqiptare

Nikollë Camaj

Kur mashtruesi pretendon të paraqitet si shpetimtar!

KUMTESË PËR MEDIE

Pas deklaratës së djeshme të Forumit Shqiptar, per medie u prononcua edhe i vetshpalluri deputet Genci Nimanbegu, i cili me asnjë fjalë nuk e sjelli në pyetje obligimin për të dhënë dorëheqje në vendin e deputetit, me çka i ka vërtetuar të gjitha që i kemi thëna për të.

Megjithatë, ajo çfarë ai shkruan le përshtypje se tenton të tregohet shpetimtar i çeshtjeve shqiptare, me atë se nuk e ka përkrahur Qeverinë, sepse, sipas tij, sikur të ishte në vendin e tij dikush tjetër, do ta mbëshste.
Një pretendim i guximshëm, por shumë i paftyrë i narcisoidit Genci, sepse, se paku e kishte obligim të konsultohej me Forumin Shqiptar, me votat e të cilit është bërë deputet.

Ai as nuk do të guxonte të akuzojë ish-partnerët e koalicionit se kishin bërë diçka pa pëlqimin e partnerëve tanë, BE-së, SHBA-së, Tiranës dhe Prishtinës. Është jashtëzakonisht e pamoralshme dhe patyrpësi e skajshme të deklarojë diçka të tillë e që për këtë të mos fitojë asnjë vertetim nga ne.

Për shkak të opinionit dua të theksoj se deklarata jonë e djeshme është shkruar shumë para shperndarjes së Parlamentit, kështu që ne nuk na i ka prishur planet, por sjellja e një vendimi të tillë, në mënyrë të njëanshme dëshmon kombinatorika fitimpruse, të cilat ai nuk ka pas dëshirë t’i ndajë me ata të cilët ia kanë mundësuar të jetè në atë pozitë. Kjo flet më së miri për “fisnikërinë” e vendimeve të tilla.

Genci, në deklaratën e vet mundohet të fus përçarje edhe brenda Forumit, por se si ne respektohemi dhe si bashkepunojmë më së miri e kanë vlerësuar banorët e Malësisë dhe diaspora, të cilët na kanë shperblyer, duke na besuar pushtetin apsolut edhe për 4 vjet. E ku është në këtë “fisniku Nimanbegu”?

Por le të kthehemi te faktet dhe të shohim se kush gënjen dhe kush e thotë të vërtetën.

Gjithçka e dëshmon këtë, që nga Marrëveshja e Koalicionit, deri te të gjitha takimet dhe marrëveshjet, madje edhe nënshkrimet, nga dhjetori e në vazhdim.

Edhe me këtë rast dua ta citoj shkrimin nga data 20. 12. 2022, të nënshkruar nga Genci Nimanbegu, ku thuhet se “kryesia e Forcës propozon që të behet dorëzimi i mandatit të deputetit nga Forca te Forumi Shqiptar gjatë seancës pranverore, sepse kjo Qeveri do të mbetet deri në vjeshtë të 2023” e që është vertetuar edhe me përfundimet nga takimi më 05. 01. 2023., ku, në pikën 2 thuhet se „Genci Nimanbegu këtë do ta bëjë publikisht në medie gjatë muajit shkurt, respektivisht gjatë fushatës parazgjedhore në Tuz.

Në vend të kësaj, në zgjedhje në Tuz, Forca i bashkëngjitet Partisë Demokratike të Fatmir Gjekës, në mënyrë që të damtojnë Forumin Shqiptar, por e fitojnë përgjigjen e vertete, sepse një ministër dhe një deputet i vetëshpallur fitojnë diçka pak më shumë se 150 vota.

Në fund të rikujtoj edhe njëherë, edhe një fakt nga takimi ynë i fundit në Tivar, më 9 mars, kur gjoja po e shtynte dorëhqjen për më 16 mars, me qëllim që dikuj tjetër të mos ia mundësojë të mbështes Qeverinë (?!), dhe duke e kuptuar një “alibi” të tillë ia kam ofruar të nënshkruaj dorëheqjen dhe të vendos datën pas 16 marsit, e që nuk ka pranuar, me çka më ka bindur se do t’i mbetet besnik praktikës së vet, të mashtrojë të gjithë partnerët e vet.

Që nga ajo ditë, kur ai “premtoi me vendosmëri” se do të jepte dorëheqjen më 16 mars, ai nuk u është përgjigjur thirrjeve apo mesazheve tona. Megjithatë, kur u pyeta nga mediet për të komentuar këtë çështje, refuzova të komentoja, duke e lënë për datën 16, sepse disi doja të besoja se ai këtë do ta bënte për vete, për hir të pasqyrës, për hir të fëmijëve të tij, dhe se do të respektonte fjalën e dhënë-Besën, të cilën e dha më 16 dhjetor, kur përballë Nik Gjeloshaj, në Hilton, më përgëzoi për mandatin tim “nga e marta”, më 20 dhjetor, e kur, në vend të dorëheqjes na erdhi shkresa veç e cituar.

Kaq sa i përket kush gënjen dhe kush thotë të vërtetën, kush punon me ndershmëri dhe kush bën trekti me përfitime politike. Nimanbegu, për mandatin parlamentar, do të kishte mashtruar edhe nënën e vet. E gëzoft mandatin e tij, së bshku me fytyrën e humbur shumë kohë më parë, kur mashtroi Vasel Sinishtaj, Zana Sarvan dhe Mehmet Zenkën…

Nikollë Camaj, kryetar i Lidhjes Demokratike Shqiptare

SHARE