GJYKATA NDËRKOMBËTARE PENALE LËSHON URDHËR-ARREST PËR PUTININ

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, “në kontekstin e situatës në Ukrainë”.

Në deklaratën e gjykatës u tha se urdhër-arresti është lëshuar edhe për Maria Lvova-Belova, zyrtare ruse për të drejtat e fëmijëve, e cila dyshohet se drejton dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi.

Të dy dyshohen se “kanë kryer vepra vetë, bashkërisht me persona të tjerë apo përmes personave të tjerë”, u tha në njoftimin e gjykatës.

Aty po ashtu u tha se Putin ka dështuar “të ushtrojë kontrollin e duhur mbi vartësit civilë dhe ushtarakë që kryen veprat, ose lejoi kryerjen e tyre”.

Sipas gjykatës, vartësit ishin “nën kontrollin efektiv të tij [Putinit], në përputhje me përgjegjësinë superiore”.

“Ka arsye për të besuar se çdo i dyshuar është përgjegjës për krimin e luftës të dëbimit të paligjshëm të popullsisë dhe transferimit të paligjshëm të popullsisë nga zonat e pushtuara të Ukrainës në Federatën Ruse, sa i përket fëmijëve ukrainas”, tha Gjykata Ndërkombëtare Penale në deklaratën e lëshuar më 17 mars.

SHARE