BORRELL NË SHKUP: KY ËSHTË NJË VIT KYÇ PËR EUROINTEGRIMET

Përfaqësuesit e lartë evropianë kanë bërë thirrje për arritjen e konsensusit të brendshëm politik në Maqedoninë e Veriut për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian (BE).

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell tha se mbajtja e mbledhjes në Shkup, e jo në Bruksel, bëhet për të vlerësuar progresin e Maqedonisë së Veriut.

Borrell theksoi se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në BE, pasi sipas tij, “vetëm të bashkuar do të mund t’u përballemi me sfidat e mjedisit të vështirë gjeopolitik”.

“Ky vit është një vit kyç. Marrëveshja e korrikut është marrëveshja më e mirë që ju mund të fitoni dhe nuk është reale të besoni se kjo mund të rihapet për negociata të reja. Ardhmëria juaj në BE mbështetet në këtë bazë. Tani është koha që partitë politike të zbatojnë përgjegjësitë e tyre dhe të punojnë seriozisht për të vazhduar në këtë rrugë”, tha Borrell.

Varhelyi: Duhet që qeveria dhe parlamenti të përshpejtojnë punën për procesin e reformave

Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi, tha se mbajtja e mbledhjes së Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit në Shkup është një sinjal shumë i fuqishëm politik nga BE kundrejt Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se ky takim simbolizon që Maqedonia e Veriut do të jetë anëtare e BE-së.

Ai u shpreh se është shumë e rëndësishme që vendi të mos ndalojë me reformat, por përkundrazi t’i përshpejtojë ato, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionin dhe krimit të organizuar.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut beson në anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2030

Në konferencën për media, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, e vlerësoi takimin si të suksesshëm dhe historik, pasi është takimi i Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit që mbahet në Shkup.

“Puna e Qeverisë është e vendosur në vijat e agjendës evropiane dhe sado ambicioze të tingëllojë, unë dhe të gjithë ne në Qeveri besojmë se Republika e Maqedonisë së Veriut aktualisht ka kapacitete politike të cilat mund të kontribuojnë që pas përfundimit të suksesshëm të procesit të skriningut në nëntor, të hymë me ritme dinamike në procesin e negociatave dhe deri në vitin 2030 të bëhemi shtet anëtar i BE-së”, tha Kovaçevski.

SHARE