KRERËT SHTETËRORË TË MAQEDONISË SË VERIUT UROJNË PAVARËSINË E KOSOVËS

Zyrtarë të lartë të Maqedonisë së Veriut dërguan urime me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, dërgoi urime përmes llogarisë së tij zyrtare në Twitter. “Përgëzoj Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe qytetarët e Kosovës për festën e Pavarësisë me urime për suksese, prosperitet dhe mirëqenie”, ka shkruar ai. “Përmes zhvillimit të mëtejmë të miqësisë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, ne po përmbushim vizionin e përbashkët për një rajon stabil dhe anëtarësim në BE”, shtoi Pendarovski. Urim ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili përmes rrjeteve sociale u shpreh se Kosova hapëron guximshëm në rrugën e demokracisë, transparencës dhe hapjes ndaj Evropës dhe botës. “Sfidat janë të përditshme por të pritura dhe ne jemi pranë Jush në çdo çast, t’ju përkrahim, t’ju ndihmojmë dhe të jemi fqinji, familja dhe shtylla e besueshme e sigurisë. Urime institucioneve kosovare, urime qytetarëve kosovarë! I gëzofshi edhe shumë përvjetorë, gjithnjë me progres dhe mirëqenie!”, shkroi Xhaferi. Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, publikoi një video urim me rastin e pavarësisë së Kosovës.“Nga zemra dua t’ua uroj Ditën e Pavarësisë së Republikës Kosovës, datë e rëndësishme jo vetëm për qytetarët e Kosovës, por për tërë rajonin”, tha Osmani në një video-mesazh. Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera, miqësi të sinqertë dhe afatgjatë të bazuar në lidhjet e thella mes qytetarëve të dy vendeve. “Si prijës të politikës, obligimi ynë është ta kultivojmë edhe më tutje bashkëpunimin e ndërsjellë, për çka jam më se i sigurt se do të vazhdojë me tempon e njëjtë edhe në të ardhmen”. tha ai. “Si dy fqinjë të afërt, ne na pret një e ardhme e përbashkët duke plotësuar interesat strategjike euroatlantike të dyja vendeve, përmes së cilave do të forcojmë stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë për të dy vendet dhe rajonin në përgjithësi. Gëzuar!”, shtoi Osmani.

SHARE