Bernard Çobaj: A vlen të lexohet Odiseu i shekullit XX?

Autori Agim Baçi bisedoi me publikun në Librarinë Ulqini lidhur me efektet e leximit në ndërgjegjësimin kombëtar e social. Ai preku temën e identitetit, asimilimit, fërkimeve shoqërore e kulturore që ka sjellë modernizmi dhe postmodernizmi në kontekstin e shkrimit të Matei Kalineskut në Pesë fytyrat e modernitetit. U ndal, në veçanti, tek Odiseu i Homerit dhe Don Kishoti i Servantesit, duke shpjeguar rëndësinë e leximit të këtyre klasikëve në kohën e sotme.

Biseda për Odiseun e Homerit më përkujtoi Odiseun e Xhojsit, pra Uliksin, pasi më 2 shkurt (ditëlindja e Xhojsit) u shënua 100-vjetori i botimit. Në Librarinë Ulqini pashë dy kopje të përkthyera në gjuhën shqipe nga Adlir Azizi, më 2003. Xhojsi ishte 40-vjeçar kur u botua libri (numri 40 ka magjinë e vet në historinë e njerëzimit).

Vepër e shkruar në tre qytete (Trieste, Zyrih dhe Paris), nisur më 1914, e përfunduar në vitin 1921. Uliksi ka nxitur shumë debate, kontradikta që nga dita e parë dhe ende vazhdon të jetë vepër letrare që vlerësohet gjeniale ose budallallëk. Gati një e treta e atyre që e nisin leximin, nuk e përfundojnë. Anne Enright, shkrimtarja irlandeze shprehet:

Kurrë nuk e kam menduar këtë si një problem. Nuk jam e sigurt nëse mund ta përfundoni ndonjëherë Uliksin. Jam e sigurt se nuk mund të kuptohet kurrë plotësisht. 

Shumë gjëra ndodhin në libër, siç ndodhin në çdo ditë të zakonshme. Por, si në shumicën e ditëve tona, Uliksi ka shumë pak zhvillime. Dy burra, Leopold Blumi dhe Stiven Dedalusi (kryeprotagonisti i novelës së Xhojsit “Portreti i artistit në rini”), enden nëpër Dublin, përplasen me njëri-tjetrin dhe e krijojnë një lidhje. Të dy burrat janë të zënë nga tradhtitë tragjike dhe nga pamundësitë që bëhen më pak të pamundura e më pak të rënda që prej këtij takimi me njëri-tjetrin. Kjo duket shumë pak e mundshme të ndodhë në një libër kaq të madh – por është diçka mahnitëse nëse ndodhë e, për të ndikuar në këtë, janë ca gjëra heroike dhe të jashtëzakonshme aty.

Dita nisë që me mëngjes (Blumi tashmë është i famshëm dhe përkujtohet çdo vit në Dublin në Blumsdej, më 16 qershor, në ditën në të cilën zhvillohet ngjarja e librit). Rrugët nëpër të cilat kalojnë burrat janë hulumtuar në mënyrë obsesive nga Xhojsi i cili pastaj nuk pranoi t’i përshkruante ato, për lexuesin, në mënyrë tradicionale. Me kalimin e orëve, mendjet e tyre bëhen më të hapura për botën. Zërat ndalen, mendimet ndërhyjnë. Nuk e dimë se kush po rrëfen apo nga cili këndvështrim. Xhojsi donte që libri të jetë “enciklopedik”. Si mendimet e thella ashtu edhe emocionet e zjarrta përmbahen në gjëra të vogla ose mendjengushta; 

Xhojsi refuzoi ta rregullonte kuptimin e fjalëve në faqe dhe e la lexuesin të kujdesej vetë për këtë. Pra, përmbajtja në fakt mund të mos jetë tronditëse, por libri është ngacmues – thuajse në çdo sekondë mund të bëhet tronditës. Çdo gjë mund të lëvizë në trupin ose ndërgjegjen e një personazhi, në trupin ose ndërgjegjen e lexuesit. Më shumë se çdo libër tjetër, Uliksi ka të bëjë me atë që ndodh në kokën e lexuesit. Stili na detyron ta zgjedhim një kuptim; është krijuar për të na bërë të ndihemi të pasigurt. Kjo e bën të jetë vepër thellësisht demokratike. Uliksi është tekst i gjallë, i ndryshueshëm, thellësisht human e gjithashtu shumë qesharak. E bën botën më të madhe.”

Profesori dhe diplomati Muhamet Hamiti përkujton se Xhejms Xhojsi e kishte thënë si me shpoti se do të bëhej i përjetshëm mbasi profesorët me shekuj do të përlahen me fjalë rreth asaj se çka kishte dashur të thoshte ai (“busy for centuries arguing over what [he] meant”)Kjo deklaratë do ta provokojë Borhesin të thotë në vitin 1985: “Vepra nuk është shkruar për lexim, është shkruar për diçka shumë më tepër, është shkruar për ta bërë autorin të famshëm, për t’u studiuar dhe për të hyrë në historinë e letërsisë”.

Në librin e tij “Proza moderne: Xhozef Konradi dhe Xhejms Xhojsi”, botuar në Prishtinë në vitin 2016, profesor Hamiti merret me prozën e Xhejms Xhojsit, me theks te strategjitë narrative dhe kuptimit të tyre. Ai shkruan edhe për fjalët/shprehjet shqipe te vepra e fundit e Xhojsit, Zgjimi i Fineganit (1939), për ç’gjë kishte shkruar i pari kritiku e teoricieni letrar Ibrahim Rugova në Prishtinë, në vitin 1985.

Sikur Agim Baçi që tregon përse të lexohet Odiseu i Homerit sot, shtrohet pyetja a ia vlen të lexohet Uliksi i Xhojsit që merr shumë kohë dhe kërkon angazhim të madh intelektual (Jungu shpenzoi tre vite, kurse filozofi Derrida shumë vite duke “u mundur” me përmbajtjen e librit)?

Vazhdon

SHARE