2.000 DOZA TË VAKSINËS SPUTNIK MBËRRIJNË NË MALIN E ZI

Mali i Zi përgatitet për kontigjentin e parë me vaksina kundër koronavirusit të cilat i vijnë si janë dhuratë nga Serbia. Ministrja e Shëndetësisë së Malit të Zi, Jellena Boroviniq-Bojoviq konfirmoi se Beogradi ka nisur 2,000 doza të  vaksinës ruse Sputnik V, të cilat pritet të mbërrijnë gjatë ditëve në vijim. “Qeveria ka kryer disa negociata dypalëshe në dy muajt e fundit për të siguruar vaksinën dhe rezultatet e para të tyre janë me Serbinë”, tha ajo. Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq u shpreh se kishte rënë dakord me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, mbi detajet e pranimit të vaksinave. Abazoviq i tha gazetës “Vijesti” se “Qeveria e Malit të Zi shpreh mirënjohje të thellë për këtë gjest njerëzor”. Ministrja e Shëndetësisë njoftoi se Mali i Zi pret furnizim me vaksinën ruse, e cila është siguruar nga negociatat e drejtpërdrejta me Rusinë. Sipas saj, vendi do të furnizohet edhe me vaksinën kineze dhe të gjermano-amerikane Pfizer/BioNtech. Sot, sekretari shtetëror në Ministrinë e Shëndetësisë, Borko Bajiq, tha se qysh në javën e ardhshme, ne mund të presim fillimin e vaksinimit kundër virusit korona në Mal të Zi.  

SHARE