PRESIDENTI TURK MBËRRIN NË TIRANË

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi vizitë të hënën në Shqipëri, ku mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të banesave të ndërtuara nga Qeveria turke për personat që mbetën pa strehë, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019, në qytetin e Laçit. Presidenti turk përuroi 522 banesat që Turqia ndërtoi në Laç, të cilat u tha se kushtuan afër 42 milionë euro. Gjatë ceremonisë së dorëzimit të këtyre banesave, Erdogan foli për afërsinë mes dy vendeve dhe “ndjenjën e vëllazërisë” që ato kanë mes vete. “Duke qenë se edhe populli turk ka përjetuar dhimbje të ngjashme, tërmetet e shtatorit dhe nëntorit lënduan zemrat tona njëlloj si popullit shqiptar. Fakti që Turqia është nga vendet e para që i erdhi në ndihmë Shqipërisë, është dëshmi e qartë e solidaritetit të fortë mes nesh”, tha Erdogan. Nga Laçi, Erdogan adresoi edhe situatën me pandeminë e koronavirusit, ku tha se shtetet e fuqishme të botës nuk kanë pasur qasje të drejtë ndaj vendeve më të varfra. “Gjatë pandemisë të gjithë shtetet e mëdha u kyçën dhe mbyllën edhe sytë e tyre, por ne bëmë të kundërtën, dolëm edhe jashtë kufijve për të parë dramat e vëllezërve tanë për t’u qëndruar pranë me çdo mundësi”, tha Erdogan. Gjatë ceremonisë, presidenti turk u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Kurbinit” për solidaritetin e ndihmën në ditët më të vështira për Kurbinin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në procesin e rindërtimit. Gjithashtu, nga sot, sheshi i lagjes së re, në qytetin e Laçit, do të mbajë emrin e presidentit Erdoğan me emrin “Sheshi Erdoğan”, në shenjë mirënjohje dhe respekti për mbështetjen dhe kontributin e madh që presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka ofruar në procesin e rindërtimit pas tërmet tragjik. Erdogan ka zhvilluar takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Po ashtu, gjatë ditës janë nënshkruar shtatë marrëveshje, memorandume mirëkuptimi dhe protokolle bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

SHARE