Në Tiranë është organizuar konferenca rajonale e grave deputete me temë “Fuqizimi i grave në jetën parlamentare dhe shoqëri”, me pjesëmarrjen e grave deputete nga vendet e rajonit dhe përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave të ndryshme. Në hapje të aktivitetit mbajti një fjalë përshëndetëse Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e cila theksoi se gratë në institucione shërbejnë me një potencial dijesh, aftësish, përvojash dhe veprimtarie karriere politike që përbëjnë sipas saj një referencë jo vetëm për institucionet politike, por sipas saj për të gjithë shoqërinë. “Kuvendi i Shqipërisë ka caktuar si objektiv rritjen e pjesëmarrjes së grave në Kuvend dhe në pushtetin vendor minimalisht me 40 për qind. Në këtë legjislaturë kemi 50 gra të zgjedhura deputete të cilat përbëjnë rreth 36 për qind të numrit të deputetëve të Kuvendit nga 29 për qind që ishte në zgjedhjet e vitit 2017”, u shpreh ajo. Nikolla theksoi se pjesëmarrja e grave dhe vajza në politikë nuk është thjeshtë një qëllim, por sipas saj një instrument që lidhet me efikasitetin dhe efektivitetin e zhvillimit shoqëror. Nikolla shtoi se Kuvendi i Shqipërisë po rrit kontributin për ngushtimin e pabarazisë gjinore në të gjitha nivelet e shoqërisë. Në fokus të diskutimeve të konferencës rajonale ishin temat mbi fuqizimin e grave në jetën parlamentare dhe shoqëri.