Me dorëzimin e raportit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për plotësimin e vendeve vakante parlamentare, filloi mandati i deputetëve të rinj të Kuvendit të Malit të Zi.
KSHZ-ja konfirmoi mandatet e deputetëve të rinj, pasi Kuvendi konstatoi dorëheqjet e paraardhësve të tyre për shkak të papajtueshmërisë së funksioneve.
Deputetët e rinj janë: Nikolla Rovçanin, Albin Qeman, Momçillo Lekoviq dhe Dushko Stjepoviq do të jenë deputetë nga lista zgjedhore “Guximi vlerësohet”. Nga lista e “Evropa Tani” deputetët e rinj janë Dragana Vuçeviq, Gordan Stojoviq, Nagja Lakoviq, Branka Markoviq, Vladimir Bakraç, Milan Zeçeviq, Tonçi Janoviq, Armen Shehoviq, Maja Vuçeliq dhe Jelenka Andriq. Sllagjana Kalugjeroviq dhe Bogdan Bozhoviq janë deputetë të rinj nga PSP-ja. Ndërsa, Artan Çobi është deputeti i ri i Forumit Shqiptar.
Në rrjetet sociale deputeti Çobi shkruan: „Nga dita e sotme kam marrë detyrën e deputetit në Kuvendin e Malit të Zi, si përfaqësues i Forumit Shqiptar. Kjo detyrë është një nder për mua, por edhe përgjegjësi dhe obligim i madh për të realizuar qëllimet tona për përsmirësimin e kushteve për shqiptarët në Mal të Zi. Nuk mund të theksohet sa duhet se sa e rëndësishme është për ne që të menjanojmë pengesat e shumta dhe të punojmë për të çuar përpara investimet aq të pritura nga komuniteti ynë në të gjithë vendin. Me këtë rast dua të falenderoj përzemërsisht të gjithë ata që më kanë përkrahur në këtë rrugë, si mua personalisht ashtu edhe Forumin Shqiptar, me shpresë dhe vendomëri se do të jap maksimumin për të merituar besimin e tyre. Duke qenë se jemi pjesë e qeverisë aktuale, në periudhën në vazhdim pres nga ju sugjerime dhe rekomandime dashamirëse për të qenë sa më i njoftuar për nevojet emergjente të shqiptarëve në Mal të Zi, dhe së bashku të kontribuojmë në zgjidhjen e problemeve dhe realizimin e investimeve,“ deklaroi Çobi.