Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se ambiciet territoriale të Serbisë dhe mungesa e llogaridhënies për sulmin e armatosur në Banjskë përbëjnë kërcënim serioz për sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.
Në një intervistë për mediumin “The Hungary Insider”, ai ka theksuar se deklaratat e zyrtarëve serbë dhe mbështetja politike për Milan Radoiçiqin, i cili ka pranuar organizimin e sulmit të vitit 2023 ku u vra polici Afrim Bunjaku, dëshmojnë vazhdimësinë e politikës së Beogradit ndaj Kosovës.
Konjufca i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të ushtrojë presion ndaj Serbisë për dorëzimin e Radoiçiqit dhe personave të tjerë të akuzuar te autoritetet gjyqësore të Kosovës, duke vlerësuar se drejtësia për Banjskën është thelbësore për parandalimin e sulmeve të reja.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se grumbullimi i forcave ushtarake serbe pranë kufirit ose sulmet ndaj territorit dhe infrastrukturës kritike të Kosovës do të përbënin përshkallëzim serioz të situatës.
Sipas tij, parandalimi i këtyre rreziqeve kërkon prani të fuqishme të NATO-s përmes KFOR-it dhe koordinim të ngushtë me partnerët amerikanë dhe evropianë.
Konjufca ka theksuar se Kosova do të vazhdojë forcimin e institucioneve të mbrojtjes, duke mbetur e përkushtuar ndaj diplomacisë dhe dialogut konstruktiv.








