KRIVOKAPIQ: EKSPERTËT MUND TË PROPOZOHEN EDHE NGA PARTITË POLITIKE

Kryeministri i Malit të Zi Zdravko Krivokapiq theksoi se një qeveri eksperte është modeli më i mirë për udhëheqjen e reformave, por ai shtoi se kjo nuk do të thotë që ekspertët në qeveri nuk mund të emërohen nga partitë politike. Qeveria, siç thotë ai, mbetet e përkushtuar ndaj Marrëveshjes që tre udhëheqësit e koalicionit nënshkruan pas 30 gushtit të vitit të kaluar. Ai thotë se do t’i shqyrtojë me shumë kujdes të gjitha nismat dhe propozimet e reja për përmirësimin e punës së Qeverisë. “Unë besoj se një qeveri eksperte është modeli më i mirë për udhëheqjen e reformave dhe tranzicionit demokratik, dhe kjo nuk do të thotë që ekspertët në qeveri nuk mund të emërohen nga partitë politike,” shkruan Krivokapiq në Twitter. “Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj marrëveshjes së nënshkruar nga tre udhëheqësit e koalicionit pas 30 gushtit, por edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe sundimit të ligjit, i cili nënkupton ndryshime urgjente dhe të menjëhershme në gjyqësor dhe zyrën e prokurorit,” përfundoi kryeministri. Sot, Krivokapiq në Villa Gorica, priti një delegacion të Senatit Francez, të kryesuar nga presidentja e Grupit të Miqësisë Francë – Ballkani Perëndimor, Marta de Sidrak, ku theksoi se Marrëveshja e nënshkruar nga tre udhëheqësit e koalicionit pas 30 gushtit 2020, është një garanci që politika e jashtme e Malit të Zi nuk do të ndryshojë, dhe se vetëm një qeveri eksperte mund të udhëheqë me sukses tranzicionin demokratik.

SHARE