KUVENDI MIRATOI NDRYSHIMET NË RREGULLOREN E KUVENDIT DHE NDRYSHIMET NË VENDIMIN PËR NUMRIN E NËNKRYETARËVE

Deputetët sot në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit me 47 vota miratuan ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit dhe ndryshimet në vendimin për numrin e nënkryetarëve, me të cilat u mundësua zgjedhja e dy nënkryetarëve nga radhët e pakicave.

Nuk pati asnjë abstenim dhe asnjë votë kundër.

Nënkryetari i Kuvendit, Nikollë Camaj, tha se synimi është respektimi i marrëveshjes së koalicionit mbi bazën e së cilës është formuar mazhoranca qeverisëse.

Ai tha se qëllimi është të luftojmë për të mbrojtur interesat e popullit, jo për të fituar kolltuqe.

“Dhe më besoni, ato kolltuqe do të na sjellin më pak se sa u sollën shumë baballarëve politikë të një pjese të opozitës”, tha Camaj.

Gjatë diskutimit të sotëm, opozita kritikoi ndryshimet në Rregullore, të cilat parashikojnë që numri i nënkryetarëve të Kuvendit nga partitë e pakicave të rritet në dy (deri më tani ata kishin të drejtën e një nënkryetari).

Në propozimin për ndryshime në Rregullore, shkruhet se ato mund të justifikohen ligjërisht me “nevoja për sigurimin e të drejtave të barabarta, promovimin e parimeve demokratike dhe përafrimin me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave”.

Opozita vlerësoi se bëhet fjalë vetëm për shpërndarjen e “poltronëve”, se “boshnjakizimi i Malit të Zi” është në skenë dhe se duhet shtuar numri i nënkryetarëve, “sepse ndoshta do t’u duhet rusëve, ukrainasve…”.

Në rend dite të seancës së sotme është edhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit, dhe për atë pozitë është propozuar përfaqësuesi i Partisë Boshnjake, Mirsad Nurkoviq.

SHARE