UKRAINA THOTË SE NGA SHTATORI MUND TË EKSPORTOJË 3 MILIONË TONË DRITHËRA

Ukraina mund të eksportojë 3 milionë ton drithë nga portet e saj në Shtator dhe në të ardhmen mund të jetë në gjendje të eksportojë 4 milionë ton në muaj. Kështu deklaroi zëvendësministri i Infrastrukturës Yuriy Vaskov. Ai u shpreh se Ukraina kishte marrë kërkesa për 30 anije që do të shkojnë në Ukrainë në dy javët e ardhshme për të eksportuar grurë. Moska dhe Kievi arritën marrëveshje muajin e kaluar për rikthimin e eksporteve të drithërave. Marrëveshja u arrit me ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së dhe si synim kishte zhbllokimin e tri porteve ukrainase, që ishin bllokuar që kur Rusia nisi sulmin e Ukrainës më 24 Shkurt. Zhbllokimi i porteve ukrainase bëri të mundur dërgimin e qindra tonëve grurë tek blerësit. Përpara luftës Ukraina, eksportuesja e katërt më e madhe në botë e drithërave, ishte në gjendje të eksportonte deri në 6 milionë tonë drithëra në muaj. Që nga ndalimi i dërgesave të grurit nga portet e Detit të Zi të Ukrainës, më shumë se 20 milionë tonë drithë kanë ngecur në kapanonet e vendit. Ukraina po përpiqet të eksportojë rezervat e saj të mëdha të drithërave në rrugë të ndryshme për të ndihmuar në shmangien e një krize globale ushqimore.

SHARE