ZJARRET MASIVE NË KANADA PËRKEQËSOJNË CILËSINË E AJRIT

Zjarre pyjore masive kanë përfshirë Kanadanë, duke ndikuar mes të tjerash edhe te një përkeqësim i ndjeshëm i cilësisë së ajrit në një pjesë të madhe të Amerikës së Veriut.

Retë e dendura të tymit nga zjarret në Ontario perëndimore dhe Minesota kanë mbuluar rajonin e Liqeneve të Mëdha dhe Verilindjen e SHBA-së, duke krijuar kushte të rrezikshme për shëndetin e miliona banorëve.

Qielli në Toronto ka marrë ngjyrë të theksuar portokalli, e skena të ngjashme janë parë edhe në disa zona të shteteve amerikane si Neë York, Massachusetts dhe Vermont.

Sipas meteorologëve, ndryshimi i drejtimit të erërave ka bërë që tymi të përhapet drejt jugut.

Sipas Qendrës Kanadeze të Zjarreve Pyjore, në vend regjistrohen aktualisht 54 zjarre aktive, ndërsa vetëm të mërkurën u regjistruan edhe 13 vatra të reja.

Flakë masive janë përhapur edhe në veri të Minesotës, ku temperaturat e larta dhe moti i thatë vazhdojnë të favorizojnë përhapjen e flakëve.

Si pasojë e përhapjes së tymit, autoritetet kanë lëshuar alarme për cilësinë e ajrit në pjesë të Minesotës verilindore, ku banorëve u është rekomanduar të shmangin aktivitetet e zgjatura në ambient të hapur, veçanërisht personat me probleme të frymëmarrjes, të moshuarit dhe fëmijët.

Këshilla të ngjashme janë dhënë edhe në disa shtete të tjera amerikane, ndërsa retë e tymit tani po lëvizin drejt lindjes. Ndërkohë, një video e publikuar së fundmi është bërë virale në rrjetet sociale.

Pamjet, të filmuara nga kabina e një lokomotive, tregojnë momentin kur një tren kalon mes një zjarri të madh pyjor në Kanada, me flakët që përfshijnë të dyja anët e hekurudhës.

Sipas raportimeve, ekuipazhi nuk pësoi lëndime dhe treni arriti të kalonte i sigurt zonën e përfshirë nga zjarri.

Autoritetet kanadeze thonë se temperaturat e larta dhe thatësira kanë vijuar të krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e flakëve.  

SHARE