Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kuvendi i Malit të Zi zgjodhi sot Predrag Krstonijeviq dhe Jellena Ruzhiçiq si gjyqtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese, duke e plotësuar për herë të parë pas disa vitesh përbërjen e plotë të këtij institucioni.
Krstonijeviq u zgjodh me 64 vota pro, ndërsa Ruzhiçiq mori mbështetjen e 69 deputetëve. Pas votimit, të dy dhanë betimin para deputetëve.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i cili mori pjesë në seancë, theksoi se zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese është një test i përgjegjësisë së institucioneve ndaj qytetarëve dhe rrugës evropiane të vendit.
Ai u bëri thirrje deputetëve të mbështesin kandidatët, duke nënvizuar se institucionet e drejtësisë nuk duhet të jenë peng i marrëveshjeve politike, por të ndërtohen mbi profesionalizmin, integritetin dhe pavarësinë.
Gjatë debatit parlamentar, shumica e partive shprehën mbështetje për kandidatët, duke vlerësuar se plotësimi i Gjykatës Kushtetuese është një hap i rëndësishëm për forcimin e shtetit ligjor.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Partisë Boshnjake ngritën shqetësimin për përfaqësimin e pakicave në këtë institucion, por theksuan se integrimi evropian mbetet prioritet.
Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese konsiderohet një nga kushtet më të rëndësishme për avancimin e Malit të Zi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht në kapitujt që lidhen me sundimin e ligjit dhe reformën në drejtësi.










