Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Vlladimir Jokoviq, zhvilloi një takim me prodhuesit e peletit, ku u diskutuan sfidat kryesore me të cilat përballet ky sektor, si mungesa e lëndës së parë dhe çmimet e larta.
Palët ranë dakord që brenda 15 deri në 20 ditëve të ardhshme të hartojnë një model për stabilizimin e tregut dhe sigurimin e çmimeve më të përballueshme për qytetarët.
Sipas Ministrisë, një nga masat e parashikuara është rritja e sasisë së lëndës së parë përmes prerjeve sanitare në pyje, për të cilat tashmë kanë nisur procedurat e tenderimit në disa njësi pyjore.
Jokoviq theksoi se synimi është që prodhuesit vendas të vazhdojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të qëndrueshme, ndërsa qytetarët të kenë qasje në pelet me çmime të pranueshme.
Nga ana e tyre, prodhuesit shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë që do të stabilizojë tregun dhe furnizimin me pelet në Mal të Zi.










