MAQEDONI E VERIUT: SHQIPTARËT FITOJNË 33 DEPUTETË

Sipas Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve, kur janë numëruar mbi 96 për qind të votave, shqiptarët në Maqedoni kanë fituar 33 mandate, njofton agjencia e lajmeve INA.

Sipas kalkulimeve zyrtare të KSHZ, Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar 16 mandate, Aleanca për Shqiptarët 12, Partia Demokratike Shqiptare 1 mandat dhe Lëvizja BESA, e cila garoi në koalicion me LSDM, 4 mandate. Megjithatë, këto janë kalkulimet të rezultateve preliminare nga ana e KSHZ-së. Nesër pritet të jepen rezultate zyrtare.

Ndërkaq, në kampin maqedonas LSDM ka fituar 45 mandate, ndërsa VMRO 44 mandate.

Në bazë të këtyre rezultateve Zoran Zaev (LSDM) do të fitojë mandatin për të formuar një qeveri të re. Sipas Komisionit Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut pjesëmarrja në votime deri në orën 20.30 ishte 50.86 për qind.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social Facebook se zgjedhjet ishin të qeta.

“Pavarësisht se kush do të fitojë, pres që të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor t’i urojnë njëri-tjetrit, siç i takon një vendi demokratik”, ka shkruar Pendarovski.

Në këto zgjedhje për herë të parë që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut në vitin 1991, u krijua një koalicion parazgjedhor midis një partie maqedonase dhe një partie nga blloku shqiptar.

LSDM dhe Lëvizja Besa garojnë së bashku në këto zgjedhje. Procesi zgjedhor u mbikëqyr nga 2,508 vëzhgues vendor dhe 98 të huaj.

Për zgjedhjet, përveç gazetarëve të akredituar vendor, po raportojnë edhe 55 media ndërkombëtare.

SHARE