Kryetari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq, beson se ky qytet do të bëhet komuna më e pasur në Mal të Zi edhe pse gjendja në këtë komunë është shumë e vështirë për shkak të borxhit të madh i cili tejkalon 42 milion euro, duke mos numëruar këtu rreth 11 milion euro borxh për paga dhe kontribute të ndërmarrjeve ku themelues është Komuna e Ulqinit , raporton portali Ul-Info.
Sipas këtij portalit, parashikimet e vetëqeverisjes së re vendore janë që së shpejti Ulqini do të jetë komuna më e pasur në Mal të Zi.
Hapi i parë ishte që të zgjidhen kuadrot më të përgatitur dhe më të arsimuar pavarësisht përkatësisë partiake ose ndonjë tjetër, duke treguar kështu që i vetmi interes për ato është që të kthejnë shkëlqimin e vjetër të kësaj komune.
“Mendoj që Ulqini ka parakushte të shkëlqyera për zhvillim të përshpejtuar. Jemi dëshmitar që në periudhën e pasluftës, në vend të ripërtrirjes së pritur, për fat të keq erdhi deri tek shkatërrimi sistematik i ekonomisë, emigrimit të popullsisë, si dhe stagnimit në të gjitha segmentet e shoqërisë.
Prandaj është e nevojshme që të bëhet kthesa e madhe sistematike, reformat radikale dhe ndryshimet në punën dhe funksionimin e administratës lokale, si dhe maksimalisht të shfrytëzohen potencialet, mjetet dhe burimet e shumta për zgjidhjen e problemit të papunësisë së madhe”, tha për gazetën “Dnevne Novine” i pari i Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq.