Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në fjalimin e tij në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, tha se Mali i Zi është në prag të realizimit të një prej synimeve më të rëndësishme të historisë së tij moderne – anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028.
Ai theksoi se Mali i Zi, 20 vjet pas pavarësisë, ka zgjedhur rrugën evropiane dhe mbetet i përkushtuar ndaj vlerave të paqes, demokracisë, lirisë dhe bashkëjetesës.
Millatoviq vlerësoi se procesi i integrimit nuk ka qenë i lehtë, me vonesa dhe sfida, por se vendi ka ruajtur orientimin evropian dhe ka vazhduar reformat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Ai kujtoi se integrimi evropian nuk është vetëm politikë e jashtme, por një marrëveshje shoqërore që prek drejtësinë, ekonominë dhe të ardhmen e të rinjve.
Presidenti theksoi gjithashtu se zgjerimi i BE-së sot ka rëndësi strategjike për stabilitetin e Evropës, veçanërisht në kontekstin e sfidave gjeopolitike dhe luftës në Ukrainë.
Ai rikujtoi se Mali i Zi ka hapur të gjitha 33 kapitujt negociues dhe ka mbyllur përkohësisht 16 prej tyre, si dhe ka harmonizim të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Millatoviq nënvizoi se vendi është tashmë pjesë e NATO-s dhe përdor euron si monedhë, duke e konsideruar këtë si dëshmi të orientimit të qartë strategjik evropian.
Ai shtoi se Mali i Zi ka treguar pjekuri demokratike përmes zgjedhjeve dhe ndryshimit paqësor të pushtetit, ndërsa reformat e ardhshme duhet të fokusohen në sundimin e ligjit dhe forcimin e institucioneve.
Në fund, presidenti deklaroi se anëtarësimi në BE nuk është vetëm synim politik, por një kthim i natyrshëm i Malit të Zi në hapësirën evropiane, duke theksuar se vendi është i gatshëm të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028.











