FRIDEN: ANËTARËSIMI I MALIT TË ZI NË BE DO TA FORCOJË EVROPËN

Foto: PE

Kryeministri i Luksemburgut, Luk Friden, deklaroi se pranimi i Malit të Zi në Bashkimin Evropian do ta bëjë Evropën më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë.

Ai tha se pret që Mali i Zi të përfundojë negociatat në muajt e ardhshëm dhe të bëhet anëtarja e 28-të e BE-së në vitin 2028.

Friden theksoi se anëtarësimi nuk është “dhuratë” për Malin e Zi, por një proces që e forcon vetë Bashkimin Evropian dhe është në interes të të gjitha vendeve anëtare.

Ai u shpreh se, pasi Mali i Zi të përmbushë të gjitha kushtet, duhet të ketë të drejta të plota si anëtare e barabartë e BE-së, përfshirë edhe të drejtën e plotë të votës, pa vendosur kushte shtesë pas përfundimit të negociatave.

Sipas tij, Luksemburgu do ta mbështesë anëtarësimin e Malit të Zi në Këshillin Evropian, ku merret vendimi përfundimtar. Friden shtoi se integrimi evropian forcon lidhjet mes popujve dhe shteteve dhe kontribuon në stabilitetin e rajonit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe afrimit mes qytetarëve.

Në fund, ai u shpreh se Evropa duhet të kujdeset për partnerët dhe fqinjët e saj, në mënyrë që të ruhet stabiliteti dhe të shmanget ndikimi i jashtëm në rajon.

SHARE