TRIVIQ: PROVIMET NË MAL TË ZI ZHVILLOHEN PA SHKELJE, REZULTATET MË 3 QERSHOR

Foto: DAN

Drejtori i Qendrës së Provimeve, Millosh Triviq, bëri të ditur se provimi djeshëm për gjuhën malazeze, serbe, boshnjake, kroate si dhe gjuhën shqipe është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe pa shkelje.

Në testimin e gjuhës malazeze, serbe, boshnjake, kroate morën pjesë 4.994 nxënës, ndërsa 204 nxënës iu nënshtruan provimit të gjuhës shqipe.

Rezultatet paraprake pritet të publikohen më 3 qershor, ndërsa përfundimtaret pas shqyrtimit të ankesave.

Sipas tij, nuk është regjistruar asnjë shkelje gjatë procesit, ndërsa mbarëvajtja e provimeve është ndihmuar edhe nga policia, sidomos për shkak të paralajmërimeve të mëparshme për bomba, të cilat rezultuan të rreme.

Masat parandaluese do të vazhdojnë edhe për provimet e ardhshme.

Provimi i radhës për maturantët është ai i gjuhës angleze më 13 maj, i ndjekur nga matematika dhe më 5 qershor provimi për lëndë zgjedhëse.

Ndërkohë, nxënësit e shkollave profesionale do të testohen në pjesën teorike të profesionit.

Në fund të prillit do të zhvillohen edhe provimet për nxënësit e shkollave fillore, konkretisht më 28, 29 dhe 30 prill (gjuhë, matematikë dhe lëndë zgjedhëse).

Një risi e rëndësishme është se testet nuk do të korrigjohen më nëpër shkolla, por përmes një sistemi digjital: ato do të skanohen dhe vlerësimi do të bëhet online nga vlerësues anonimë, me sistem të dyfishtë kontrolli për saktësi më të madhe.

Gjithashtu, këtë vit testimet kombëtare për gjuhën angleze do të zhvillohen për herë të parë në format online, duke zëvendësuar përdorimin e letrës me detyra interaktive.

Në të njëjtën kohë, ka nisur edhe studimi ndërkombëtar PIRLS për nxënësit e klasave të katërta, ku Mali i Zi merr pjesë për herë të dytë. Ky studim synon të vlerësojë aftësitë e leximit dhe kuptimit, të cilat konsiderohen thelbësore për zhvillimin e përgjithshëm arsimor.

SHARE