Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi po hyn në vitin e presidencës së Procesit të Berlinit me një fokus të qartë te njerëzit, lidershipi dhe reformat që synojnë anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.
Në një konferencë për media u prezantua aktiviteti i parë, takimi ministror “People4Europe”, i cili do të mbahet më 20–21 prill në Budva dhe do të mbledhë ministra të administratës publike nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të BE-së dhe institucione të rëndësishme rajonale.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, theksoi se presidenca e Malit të Zi në vitin 2026 është një hap i natyrshëm përpara drejt perspektivës evropiane, duke nënvizuar se Mali i Zi po zgjedh qartë rrugën e reformave dhe integrimit në BE. Ai vuri në dukje se fokusi i diskutimeve do të jetë në tre shtylla kryesore: forcimi i lidershipit, tërheqja e talenteve dhe ndërtimi i kapaciteteve në administratën publike.
Nga ana tjetër, koordinatorja kombëtare për Procesin e Berlinit, Millica Perishiq, theksoi rëndësinë e kësaj presidence për rolin rajonal dhe evropian të vendit. Ajo bëri të ditur se gjatë këtij viti do të organizohen mbi 25 aktivitete, përfshirë 12 takime ministrore, që do të kulmojnë me samitin e liderëve në tetor. Sipas saj, reforma e administratës publike mbetet thelbësore për procesin e integrimit dhe për rritjen e besimit të qytetarëve në institucione.
Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Mal të Zi, Ralf Reusch, e vlerësoi këtë presidencë si njohje të progresit të vendit dhe angazhimit të tij në forcimin e bashkëpunimit rajonal. Ai theksoi se viti 2026 është veçanërisht i rëndësishëm për Malin e Zi, pasi përkon me një përvjetor të rëndësishëm të pavarësisë dhe me fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në BE.
Në fund, u theksua se takimi “People4Europe” shënon një nisje të fortë të presidencës, duke dërguar mesazhin se reformat dhe ndërtimi i institucioneve të forta varen drejtpërdrejt nga kapaciteti dhe profesionalizmi i administratës publike.










