Foto: Mediabiro
Ministrja e Turizmit, Simonida Kordiq, ka deklaruar në Kuvend se veriu i vendit po shënon rritje të dukshme të vizitorëve si gjatë sezonit dimëror ashtu edhe atij veror.
Duke iu përgjigjur pyetjeve parlamentare, ajo theksoi se po vërehet një “bum i vërtetë turistik” gjatë verës dhe se Mali i Zi ka potencial të madh për zhvillimin e turizmit aktiv.
Sipas saj, veriu i vendit tashmë po tregon rritje të qëndrueshme të vizitave gjatë gjithë vitit.
Kordiq nënvizoi se Qeveria është e përkushtuar për investime të larmishme në këtë zonë, jo vetëm në skijime dhe qendra dimërore, por edhe në përmbajtje të tjera turistike që nuk varen nga kushtet atmosferike.
Ajo përmendi investime në infrastrukturë si transporti, teleferikët dhe objektet mbështetëse, si dhe hapjen e poligoneve për fillestarë dhe planet për zhvillimin e shtigjeve të reja.
Ministrja theksoi gjithashtu se Mali i Zi duhet të zhvillojë një turizëm cilësor, duke përfshirë si segmentin luksoz, ashtu edhe ofertën më të gjerë të turizmit me standard të lartë, duke pasur parasysh rëndësinë e madhe të turizmit për ekonominë e vendit.










