MILLATOVIQ-KOS: MALI I ZI TË TREGOJË PËRKUSHTIM DHE TË SHFRYTËZOJË MOMENTIN E POLITIKËS SË ZGJERIMIT

Foto: Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Presidentit të Malit të Zi / Kancelarija za odnose sa javnošću predsjednika Crne Gore

Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq priti Komisioneren Evropiane për Zgjerim Marta Kos dhe vlerësoi se vizita e saj në Mal të Zi, menjëherë pas marrjes së detyrës në dhjetor të vitit të kaluar, është vazhdimësi e dialogut të angazhuar politik për temën e integrimit evropian të vendit tonë dhe konfirmim i angazhimit reciprok ndaj politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Millatoviq theksoi se partneriteti strategjik mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është më i rëndësishëm se kurrë.

“Mali i Zi është kandidati më i avancuar për anëtarësim dhe qëllimi ynë kryesor i politikës së jashtme është të bëhemi shteti i 28-të anëtar deri në vitin 2028. Në këtë kontekst, ne duhet të shfrytëzojmë momentin e politikës së zgjerimit, i cili kërkon dialog intensiv politik, vazhdimësi të reformave të brendshme dhe mbështetje të vazhdueshme nga partnerët tanë evropianë. Parakusht për një përparim në procesin integrues është që aktorët politikë vendas të tregojnë vullnet dhe përkushtim të vërtetë politik dhe të kapërcejnë krizën kushtetuese dhe parlamentare në të cilën ndodhet aktualisht vendi ynë”, tha presidenti.

Komisionerja Evropiane për Zgjerim theksoi se sot të gjithë janë dakord se nevojitet një Bashkim Evropian më i fortë dhe më i madh.

Ajo tha se Mali i Zi ka një shans real për të përfunduar negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian gjatë mandatit të saj.

“Aderimi në BE duhet të jetë një projekt kombëtar, në të cilin do të përfshihen të gjithë. Dhe ky proces, mbi të gjitha, bazohet në merita. Unë jam në ekipin tuaj dhe do t’ju mbështes në çdo hap”, tha komisionerja Kos.

SHARE