Qeveria nuk do të bëjë asnjë lëvizje për t’ia dorëzuar dikujt tjetër monopolet shtetërore si Aeroporti i Malit të Zi, tha kryeministri Dritan Abazoviq, duke folur për një vendim të mundshëm për t’i dhënë koncesione asaj kompanie. Vladan Drashkoviq, drejtor ekzekutiv i Aeroportit të Malit të Zi, thotë se koncesioni për aeroportet në Mal të Zi mbart disa rreziqe. Gjithashtu është bërë e ditur se borxhet e kompanisë janë nga 13 deri në 15 milionë euro. Kryeministri Abazoviq tha se aeroportet e Malit të Zi kanë mbështetjen e plotë të Qeverisë. “Bashkërisht u konstatua se me gjithë boshllëkun e madh që ka ekzistuar në periudhën paraprake dhe mungesën e investimeve, aeroportet dalëngadalë po rikuperohen dhe po i shlyejnë borxhet e tyre”, tha Abazoviq dhe shtoi se rezultatet do të shihen gjatë dy sezoneve të ardhshme turistike. Ai tregon se nevoja më e madhe për investime ka në aeroportin e Tivatit. Kur bëhet fjalë për koncesionet për aeroportet e Malit të Zi, kryeministri thotë se Qeveria do t’i shqyrtojë më seriozisht të gjitha mundësitë që janë në tavolinë. Në dy-tre javët e ardhshme, siç thotë ai, presin mendimin e Aeroportit të Malit të Zi se si do të zhvillohet kompania në periudhën e ardhshme pesë apo dhjetëvjeçare. Vetëm pas kësaj, siç thotë ai, mund të merren vendime të mëtejshme.