MONSTAT: ÇMIMET ULEN ME 0.3% NË NËNTOR

Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të konsumit personal, të matura me indeksin e çmimeve të konsumit, janë mesatarisht 0,3 për qind më të ulëta në nëntor në krahasim me tetorin, sipas të dhënave të Monstat.

Është hera e tretë këtë vit që shënohet deflacion. Më parë ishte regjistruar në muajin mars krahasuar me shkurtin 0.7 për qind, si dhe në tetor në krahasim me shtatorin 0.3 për qind.

Në muajin nëntor, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, çmimet e konsumit ishin mesatarisht 4.8 për qind më të larta.

“Ndikimin më të madh në normën negative të inflacionit mujor ka pasur rënia e çmimeve në grupet e karburanteve dhe lubrifikantëve për mjete motorike, shërbime akomodimi, fruta dhe transport ajror pasagjerësh”, thuhet në njoftim.

Çmimet e konsumit në periudhën janar-nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë mesatarisht nëntë për qind më të larta.

Vëzhguar sipas grupeve kryesore të produkteve dhe shërbimeve sipas qëllimit të konsumit, në muajin nëntor, krahasuar me muajin paraardhës, rritje është shënuar në grupet shëndetësi me 1 për qind, veshje dhe këpucë me 0,5 për qind, banesa, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndët djegëse me 0.1 për qind.

Rënia e çmimeve është shënuar në grupet transport 2.6 për qind, restorante dhe hotele 0.7 për qind, mobilie, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinë apartamentesh 0.2 për qind, ushqime dhe pije joalkoolike 0.2 për qind, rekreacion dhe kulturë 0.2 për qind, komunikime, pije alkoolike dhe duhan 0.1 për qind secili.

Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera nuk ndryshuan ndjeshëm.

SHARE