Më mirë është t’i kombinoni tre tipa pllakash

Kur të rinovoni banjën, kujdes të veçantë kushtoni zgjedhjes së veshjeve të qeramikës e apo të mermerit

Shumë prodhues ofrojnë në sallonet e tyre apo nëpërmjet katalogëve seri të kombinimeve të pllakave, andaj mundësitë janë të shumta.

Ekzistojnë disa rregulla themelore të cilat mund t’ju ndihmojnë me rastin e zgjedhjes, transmeton Telegrafi.

Madhësia, forma e materialit, ngjyra dhe përpunimi përfundimtar janë shumë me rëndësi me rastin e blerjes. Mirëpo, kushtoni kujdes edhe karakteristikave teknike, siç p.sh. rezistencës ndaj vrushkullit të ujit, rrëshqitjes, përqindjes së thithjes së lagështisë, fortësisë, trashësisë dhe dimensioneve, të cilat pllakat i radhisin sipas klasave nga e para deri te e treta.

Është praktike dhe estetike t’i kombinoni dy deri në tre tipa pllakash. Nëse vendosni të përdorni bordura dhe mozaik, atëherë përpiquni që t’i kombinoni me tone neutrale.

Nëse bëni kombinimin e pllakave të murit dhe të dyshemesë sipas dimensioneve, kini parasysh edhe përshtatjen e fugave të reja. Nëse fuga midis pllakave është më e gjerë, kushtoni kujdes modularitetit të pllakave të cilat përshtaten.

Nëse në banjë nuk ka mjaft dritë natyrale, apo vetë hapësira është e ngushtë, zgjidhni tone më të shndritshme.

Gjithmonë është më e sigurt të zgjidhni sanitarinë e bardhë, sepse lehtë kombinohet me pllaka të kaltra, të gjelbra, të verdha dhe me ngjyra të tjera. Mirëpo, tani janë moderne lavabo të kaltra nga qelqi, vaska të gjelbra dhe dollapë të vegjël ngjyrë druri, andaj duhet pasur kujdes që gjithmonë të jenë në kontrast me ngjyrën e pllakave.

Nëse sanitaritë janë të bardha dhe pllakat ngjyrë neutrale, patjetër në banjë duhet siguruar dekorin i cili do të prishë monotoninë. Mund të jenë perdet për kabinën e dushit, shtrojat apo pasqyra, të cilat duhet të jenë pjesë qendrore e tualetit.

Fugat

Fugat e vogla në veshjet qeramike janë vetëm në rast se vendosen pllakat e prera me laser me skaje të rrafshëta.

Nëse pllakat janë me skaje të formësuara, fuga duhet patjetër të jetë e gjerë, së paku dy-tre milimetra.

Sipërfaqja midis dy llakave mund te jetë ngjyrë e bardhë apo bezhë.

Tani mund të blihen edhe “lapsa”, me të cilët fugat e vjetra, nga të cilat nuk mund të hiqet myku, mund të mbulohen. /Telegrafi/

SHARE