Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi është i gatshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian, deklaroi ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, duke kërkuar përshpejtimin e procesit të zgjerimit për të ruajtur momentumin për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Tajani tha se anëtarësimi i Malit të Zi do të kontribuonte edhe në forcimin e sigurisë evropiane.
Në forumin vjetor për Evropën Juglindore në Trieste, ku mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq, u diskutua perspektiva evropiane e rajonit dhe mundësitë për lidhje më të forta ekonomike me BE-në.
Ibrahimoviq tha se Mali i Zi është lider në procesin e zgjerimit, me 18 kapituj të mbyllur përkohësisht, dhe synon përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2026 dhe anëtarësimin në BE në vitin 2028.
Ai theksoi se procesi duhet të mbetet i bazuar në merita dhe se Italia është një nga urat më të rëndësishme mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Të dy zyrtarët veçuan edhe rëndësinë e bashkëpunimit në energjetikë dhe infrastrukturë, përfshirë kabllon nënujore të energjisë mes Malit të Zi dhe Italisë, si dhe nevojën për forcimin e lidhjeve ekonomike, arsimore dhe teknologjike.









