DUKAJ TAKOHET ME ZËVENDËSKRYEMINISTREN E IZRAELIT – SHAKED, MINISTREN E ARSIMIT – SHASHA-BITON DHE KRYETARIN E KOMPANISË IAI – PERETZ

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Brendshme e Shtetit të Izraelit, Ayelet Shaked, priti në takim ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj me bashkëpunëtorë, gjatë vizitës së tij zyrtare në Izrael. Ministrat në takim shkëmbyen përvoja në fushën e administratës publike, veçanërisht në ofrimin e shërbimeve digjitale.  Ministrja Shaked prezantoi para delegacionit të Malit të Zi zgjidhjet digjitale të Qeverisë së Izraelit.  Ministrat u pajtuan se bashkëpunimi ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Izraelit mund të përmirësohet duke forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve përkatëse. Shaked i falënderoi për vëmendjen e veçantë që Mali i Zi i kushton sigurisë së turistëve izraelitë që qëndrojnë në Mal të Zi. Ministri Dukaj e informoi ministren se Mali i Zi aktualisht është i ekspozuar ndaj sulmeve ndaj infrastrukturës digjitale të qeverisë, se po punohet për sanimin e pasojave dhe se përvojat e Izraelit në fushën e sigurisë digjitale janë shumë të vlefshme për Malin e Zi.

Gjithashtu, në kuadër të vizitës zyrtare në Izrael, ministri Dukaj është takuar me Ministren e Arsimit në Qeverinë e Shtetit të Izraelit, Jifat Shasha-Biton.  Tema e diskutimit ishin arritjet në digjitalizimin e shërbimeve në fushën e arsimit, gjithëpërfshirjen dhe ngjashmëritë dhe dallimet e rregulloreve ligjore në fushën e arsimit. Ministri Dukaj dhe ministrja Shasha-Biton shkëmbyen përvojat dhe mësimet e nxjerra kur është në pyetje edukimi në distancë dhe përdorimi i teknologjive digjitale në procesin e mësimdhënies, me theks në veprimin në situata krize. 

Delegacioni i Malit të Zi, në krye me minstrin e Administratës Publike, Marash Dukaj, është pritur sot nga Kryetari i Bordit të kompanisë shtetërore izraelite Industrisë së hapësirës ajrore të Izraelit –  IAI (Israel Aerospace Industries) dhe ish zëvendëskryeministri dhe ministër në disa mandate dhe departamente, Amir Peretz. Peretz e informoi delegacionin e Ministrisë së Administratës Publike për aktivitetet e kësaj kompanie më të madhe izraelite, e cila punëson mbi 85 mijë persona dhe që merret ndër të tjera me çështje të sigurisë digjitale. Dukaj, ndër të tjera e ka informuar Peretz për sulmet e fundit kibernetike ndaj infrastrukturës digjitale të qeverisë dhe për aktivitetet që në bashkëpunim me vendet partnere po ndërmerren për të eliminuar pasojat. „Theksova se përvoja, pajisjet dhe njohuritë në dispozicion të Shtetit të Izraelit janë të dobishme për Malin e Zi në parandalimin e incidenteve të ngjashme,“ tha Dukaj. Me këtë rast, Peretz shprehu gatishmërinë e Izraelit për të ndihmuar Malin e Zi në periudhën e ardhshme. Pas takimit, delegacioni i Malit të Zi vizitoi qendrën digjitale të Industrisë së hapësirës ajrore të Izraelit (IAI-t), si dhe departamentin për siguri dhe mbrojtje kibernetike, me ç’rast u mbajt një prezantim për potencialin dhe resurset që posedon shteti i Izraelit në këtë fushë jashtëzakonisht të rëndësishme për Malin e Zi.

SHARE