SHBA PËR ZGJEDHJET NË MAL TË ZI: MOMENT HISTORIK PËR DEMOKRACINË

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë, Judy Rising Reinke, e cilësoi shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi si “moment historik” për demokracinë e këtij vendi. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i shpalli të hënën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 30 gushtit, në bazë të të cilave partitë e deritashme opozitare kanë fituar shumicën e mandateve për deputetë. “Qeveria amerikane i gëzohet partneritetit me qeverinë e ardhshme, të konstituuar përmes një procesi demokratik”, tha ambasadorja Reinke në një deklaratë dërguar mediave në Mal të Zi. “Derisa procesi demokratik vazhdon në periudhën e formimit të qeverisë së re, Qeveria amerikane mirëpret premtimet e udhëheqësve të ndryshëm politikë se do ta mbajnë Malin e Zi në rrugën euro-atlantike, se do t’i ruajnë elementet kryesore të politikës së jashtme malazeze dhe se do t’iu japin prioritet reformave të nevojshme për përshpejtimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Reinke, duke bërë po ashtu thirrje për mbrojtjen e pakicave në Mal të Zi, të të drejtave të njeriut dhe të parimeve kryesore të demokracisë.

SHARE