VUÇIQ: NË BRUKSEL DO TË SHKOJ PËR TË RUAJTUR PAQEN DHE STABILITETIN

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot në vigjilje të takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, se në Bruksel shkon që të tentojë të ruajë paqen dhe stabilitetin.  “Ne nuk kërcënojmë askënd, vetëm dëshirojmë të sigurojmë respektimin e rregullave ndërkombëtare, normat e së drejtës publike ndërkombëtare nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara deri te Marrëveshja e Brukselit. Këto janë marrëveshje që janë në fuqi dhe ato duhet të respektohen dhe zbatohen”, u tha Vuçiq gazetarëve pas vizitës së pajisjeve ushtarake që prodhon industria përkatëse në Serbi. Siç tha ai, nuk e di se çfarë të presë në takim, se Beogradi është i interesuar të diskutojë gjithçka, por dëshiron të diskutojë për Asociacionin e Komunave Serbe (AKS), por jo që dikush të thotë se AKS duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. “Kuptohej që këto autorizime do të ishin shumë më të mëdha dhe më të gjera, prandaj ne negociuam, është e qartë se çfarë u negociua”, tha Vuçiq në prezantimin e akademisë ushtarake. I pyetur për situatën me targat, Vuçiq tha se situata është e qartë për Beogradin dhe se “nëse dikush dëshiron ta zbatojë me dhunë, mund të bëjë çdo gjë me dhunë, pyetja e vetme është se deri kur”. Ai porositi Prishtinën të mos presin që Serbia të ndihmojë në këtë çështje. Siç theksoi, para takimit me Kurtin do të ketë takime me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe përfaqësuesin special të administratës amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Pas vizitës së armatimit, Vuçiq gjithashtu tha se është krenar për Ushtrinë e Serbisë dhe industrinë ushtarake. Siç tha ai, gjithçka që mund të prodhojë Serbia, mund ta shesë për tri ditë dhe për çdo “minë, granatë, bombë, raketë sot ka dhjetë blerës për një copë”. I pyetur për fuqinë ushtarake të Serbisë dhe Kosovës, Vuçiq tha se nuk nënvlerëson askënd, por nuk është për krahasim.

SHARE