DEPUTETËT NESËR PËR KËSHILLIN GJYQËSOR DHE LIGJIN PËR ORGANIZIMIN E TERRITORIT

Deputetët e Kuvendit të Malit të Zi nesër në seancë të jashtëzakonshme duhet të votojnë katër kandidatët e propozuar për anëtarë të Këshillit Gjyqësor nga radhët e avokatëve të dalluar. Komisioni për Sistemin Politik, Gjyqësor dhe Administratë ka propozuar që në këto pozita të zgjidhen Nebojsha Vuçiniç, Radoje Koraç, Dragan Shoq dhe Fikret Kurgash. Për zgjedhjen e tyre kërkohet mbështetja e dy të tretave ose tre të pestat e deputetëve. Në rendin e ditës janë ndryshimet në ligjin për organizimin territorial të Malit të Zi dhe Kryeqytetit, i cili parashikon krijimin e Zetës si komunë e pavarur. Këtë e propozuan deputetët Danijel Zhivkoviq, Draginja Vuksanoviq Stankoviq, Kenan Strujiq Harbiq dhe Millosh Konatar. Deputetët duhet të deklarohen edhe për hapjen e një hetimi parlamentar dhe formimin e një komisioni anketues lidhur me veprimet e anëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Policisë dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare në ngjarjet në Cetinë më 4 dhe 5 shtator të vitit të kaluar. Formimi i komisionit anketues është iniciuar nga klubet parlamentare të Social Demokratëve, Partisë Demokratike të Socialistëve, Partisë Boshnjake, Partisë Socialdemokrate dhe Partisë Liberale. Në rend dite të seancës janë propozuar ndryshimet në Ligjin për pagat në sektorin publik. Deputeti i Lëvizjes Qytetare URA, Millosh Konatar tha se seanca e nesërme e Kuvendit do të tregojë se kush është për anëtarësimin e Malit të Zi në BE. “Kushdo që nuk është pro zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, nuk e do Malin e Zi në Bashkimin Evropian. Ne kemi një shans të madh dhe duhet ta shfrytëzojmë – Mali i Zi në BE në vitin 2025”, tha Konatar.

SHARE