RUAJTJA E SHËNDETIT TË TË GJITHË PJESËMARRËSVE NË PROCESIN ZGJEDHOR ËSHTË NJË PËRPARËSI

Ruajtja e shëndetit të qytetarëve të Malit të Zi, përfshirë votuesit, administratën dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, është një përparësi absolute, u tha në një seancë të zgjatur të Kolegjiumit të Presidentëve me anëtarët e Trupit Koordinues Kombëtar për Sëmundjet Infektive, përfaqësues të Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit si dhe organizatave joqeveritare (OJQ) që merren me procesin zgjedhor.

Në Kolegjiumin e zgjatur të kryesuar nga Ivan Brajoviq, u fol për realizimin e zgjedhjeve të ardhshme, në kushte të rrezikut për shëndetin.

“Në një diskutim të hapur dhe interesant me shumë tema dhe çështje të hapura, Kolegjiumi paraqiti propozime të ndryshme që lidhen me specifikimin e kushteve për fushatat zgjedhore. Pozicioni i përbashkët i të gjithë të pranishmëve është që përparësia absolute është ruajtja e shëndetit të qytetarëve të Malit të Zi, përfshirë votuesit, administratën dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor. Ne jemi të bindur për domosdoshmërinë e hapjes dhe specifikimit të qartë të masave të mëtutjeshme në përgatitjen e zgjedhjeve, dhe ky takim kontribuon në një mirëkuptim më të mirë të partive parlamentare si aktorë të drejtpërdrejtë në skenën politike dhe pjesëmarrës të tjerë në seancën e sotme të zgjatur të Kolegjiumit Presidencial. Unë pres që mysafirët tanë të sotëm do të pranojnë sugjerimet e deputetëve, si dhe që bashkëpunimi ynë i ngushtë do të vazhdojë edhe në periudhën në vijim,” theksoi Brajoviq.

Anëtarët e TKK, të udhëhequr nga kryetari, Millutin Simoviq, i njoftuan deputetët për punën e institucioneve kompetente në përgatitjen e parakushteve më të sigurta të mundshme epidemiologjike për zbatimin e veprimtarive zgjedhore.

Gjithashtu, pjesëmarrësit e Kolegjiumit diskutuan përgatitjen e Udhëzimit për mbajtjen e sigurt të zgjedhjeve për vitin 2020.

“Ky është një dokument, versioni i të cilit është përgatitur në bazë të punës së përbashkët të grupit të punës të sapoformuar për përgatitjen e zgjedhjeve në kushtet e epidemisë së koronavirusit, si dhe përvojave krahasuese nga zgjedhjet e fundit në vendet e tjera. Është e rëndësishme të theksohet se përgatitja e këtij dokumenti është bërë me rolin kryesor dhe rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik të Malit të Zi”, thuhet në deklaratë.

SHARE