NËNTË TË VDEKUR NGA SULMET RUSE NË UKRAINË, DËMTOHET RËNDË NJË KATEDRALE HISTORIKE NË KIEV

Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve ruse në Ukrainë.

BBC raporton se është dëmtuar rëndë edhe një nga monumentet më të rëndësishme fetare dhe historike të vendit.

Sipas autoriteteve ukrainase, katër persona u vranë në sulmet ndaj Kievit, ndërsa pesë punonjës të ekipeve të shpëtimit humbën jetën në qytetin verilindor të Kharkivit, teksa përpiqeshin të shuanin një zjarr të shkaktuar nga një goditje ruse.

Mes objekteve të goditura ishte edhe Katedralja e Fjetjes së Krishtit, një monument i shekullit XI. Kryeministrja ukrainase, Yulia Svyrydenko, e cilësoi sulmin si një “sulm brutal ndaj popullit dhe trashëgimisë sonë”.

Në të njëjtën kohë, një sulm me dron i Ukrainës në qytetin rus Tula, në jug të Moskës, vrau tre persona dhe plagosi tre të tjerë, mes tyre edhe një fëmijë njëvjeçar, sipas autoriteteve ruse.

Sulmet me dronë dhe raketa në Kiev shkaktuan zjarre në ndërtesa dhe automjete, ndërsa më shumë se 140 mijë banorë mbetën pa energji elektrike, bëri të ditur kryebashkiaku i qytetit, Vitali Klitschko.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, deklaroi se vendi do të kërkojë reagim urgjent nga UNESCO dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë për dëmtimin e katedrales historike, duke e cilësuar aktin si “barbarizëm shtetëror”.

Ndërkohë, Polonia, vend fqinj i Ukrainës, njoftoi se ngriti në gatishmëri avionët luftarakë si masë parandaluese ndaj sulmeve ruse.

Të dielën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se kishte zhvilluar një bisedë me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit që vazhdon prej më shumë se tre vitesh.

Lufta nisi pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin në vitin 2022.

SHARE