DUKAJ: KOMISIONI I VENECIAS KA NJOHUR PËRPARIM NË HARTIMIN E LIGJIT PËR QEVERINË

Foto: X/Maraš Dukaj

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka bërë të ditur se në seancën plenare të Komisionit të Venecias delegacioni i Malit të Zi ka paraqitur argumentet dhe qëndrimet lidhur me mendimin e fundit për Projektligjin për Qeverinë.

Sipas tij, është inkurajuese që një pjesë e madhe e rekomandimeve të Komisionit tashmë janë përfshirë në tekstin e ligjit, gjë që tregon përparim në përafrimin me standardet evropiane.

Dukaj theksoi se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë po kontribuon në forcimin e institucioneve, sundimit të ligjit dhe proceseve demokratike në Mal të Zi.

Ai gjithashtu shprehu pritjen që Kuvendi i Malit të Zi ta miratojë së shpejti Ligjin për Qeverinë, i cili për herë të parë në historinë e re të vendit do të krijonte një kornizë të plotë ligjore për punën e ekzekutivit.

Ministri shtoi se Ministria e Administratës Publike mbetet e përkushtuar për të vazhduar reformat dhe forcimin e institucioneve në interes të qytetarëve.

SHARE