XHAÇKA: DIALOGU KOSOVË-SERBI ËSHTË RRUGA E VETME DREJT PAQES

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka deklaruar se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) është rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se ky dialog është rruga e vetme drejt paqes.  

Në fjalën e saj në Kuvendin e Shqipërisë, ku u diskutua edhe për zhvillimet dhe tensionet e fundit në Kosovë, Xhaçka theksoi se ministria që ajo përfaqëson e ka ndjekur me shumë vëmendje situatën e krijuar pas mbajtjes së zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe dhe masat vijuese, sipas saj, “të panevojshme dhe të dëmshme politikisht”.

“Jemi të shqetësuar nga rritja e tensioneve dhe sigurisht jemi të angazhuar me të gjithë fuqitë dhe mundësitë tona, me aleatët dhe partnerët, me SHBA-në, NATO-n, BE-në, që situata të mos përkeqësohet më tej. Jemi po ashtu të shqetësuar, por edhe të keq ardhur, që gjendemi në këtë situatë kaq delikate. Situata më e fundit me tre policët e kapur nga ushtria serbe, padyshim e ndërlikon më tej situatën dhe rrezikon t’i hedhë benzinë zjarrit”, tha Xhaçka.

Ajo u shpreh se i kanë ndjekur po ashtu me shqetësim edhe deklaratat e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me targa serbe.

“Theksojmë se lëvizja e lirë është një pjesë shumë e rëndësishme e angazhimeve që kemi dhe që kanë marrë të gjithë vendet tona, edhe Shqipëria dhe Kosova përfshirë, në kuadër të CEFTA-s dhe në kuadër të punës për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, por edhe në kuadër të Procesit të Berlinit, ku liria e lëvizjes dhe e qarkullimit të mallrave është një nga shtyllat kryesore të tij”, theksoi ajo. 

SHARE