OEAK I BËN THIRRJE KOSOVËS T’I BASHKOHET BALLKANIT TË HAPUR

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të konsiderojë në mënyrë serioze pjesëmarrjen në iniciativën rajonale – “Ballkani i Hapur”. “Bashkëpunimi ekonomik nuk ka alternativë në këto kohëra të pasigurta për ekonomitë rajonale dhe globale”, thuhet në një komunikatë për media të OEAK. Sipas Odës Amerikane vetëm përmes integrimit ekonomik, vendet do të mund të tejkalojnë vështirësitë e ardhshme, siç janë sfidat në zinxhirët e furnizimit, siguria e ushqimit, mungesat e energjisë dhe mungesat e fuqisë punëtore. “Çfarëdo iniciative e bashkëpunimit rajonal, duhet të mundësojë përfaqësim të barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe se është përgjegjësi e tri shteteve nismëtare të Ballkanit të Hapur, që të adresojnë brengat e Qeverisë së Kosovës dhe ato të vendeve të tjera skeptike”, thuhet në komunikatën për media të OEAK. Asnjë iniciativë për treg të përbashkët rajonal, sipas Odës Amerikane nuk mund të ketë sukses në rrethana ‘kur jo të gjitha shtetet e rajonit trajtohen në mënyrë të barabartë dhe me respekt’.

SHARE