KOMUNA E TUZIT, 540 MIJË EURO NGA PLANTACIONET

Komuna e Tuzit arkëtoi nga Plantacionet gjithë shumën e borxhit të kontestuar tatimor prej 540 mijë eurosh, me çka i dha fund bllokadës së llogarive të asaj kompanie shtetërore të premten dhe në dy ditët e kaluara filloi pagesa e pagave të marsit për punëtorët, shkruan Vijesti. Vetë komuna e Tuzit caktoi taksën e pronës së paluajtshme për kompaninë për vitin 2021 në shumën prej gati 900 mijë euro, nga të cilat një pjesë prej rreth 300 mijë i arkëtoi me detyrim në fund të vitit të kaluar. Arkëtimi ka nisur më 1 qershor dhe të nesërmen drejtuesit e kompanisë i kanë kërkuar inspektimit administrativ ndalimin e arkëtimit të detyrueshëm për shkak se për llogaritjen e taksës është përdorur një dekret, i cili është anuluar nga Gjykata Kushtetuese në mars të këtij viti, sepse Ligji për Gjykatën Kushtetuese përcakton se përmbarimi nuk mund të kryhet në bazë të akteve që janë shpallur të kundërligjshme dhe se veprimet e tilla do të pezullohen nëse janë iniciuar. Por, inspektimi administrativ, sipas “Vijesti”, nuk ka reaguar gjatë këtyre 11 ditëve. Për shkak të kësaj bllokimi të llogarive, u vonua pagesa e pagave të muajit mars për punëtorët, si dhe blerja e mjeteve mbrojtëse dhe lëndëve të tjera të para që i nevojiten kompanisë. Menaxhmenti i “Plantacioneve” arriti të sigurojë para për zhbllokimin e llogarive duke shitur produkte dhe filloi të paguajë paga.

SHARE