“NUK KA SIGURI NË EVROPË PA KOSOVËN”, KOS BËN THIRRJE PËR INSTITUCIONE TË QËNDRUESHME

Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, i ka bërë thirrje spektrit politikë në Kosovë gjatë një vizite në Prishtinë të gjejë gjuhë të përbashkët për t’i dhënë fund ngërçit të gjatë institucional dhe të formojë institucione të qëndrueshme, në mënyrë që vendi të ecë përpara drejt bllokut evropian.

Kos – në vizitën e saj të parë në Kosovë pas marrjes së detyrës më 2024 – u prit të premten nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, para se të takohej me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Duke folur në një konferencë për media përkrah Kurtit, Kos tha se “nuk ka siguri në Evropë pa Kosovën”.

Por, ajo tha se Kosova – e cila ende nuk e ka statusit e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në bllok, duhet të ketë sa më parë institucione të qëndrueshme dhe funksionale.

“Thirrja ime e qartë në këtë vizitë është për të gjithë aktorët politikë për ta gjetur një mënyrë për ta kthyer stabilitetin institucional”, tha Kos.

Vizita e saj po zhvillohet në një kohë kur vendi ka institucione në detyrë pasi është në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të caktuara për 7 qershor.

Këto janë zgjedhjet e treta të njëpasnjëshme pas atyre në shkurt dhe dhjetor 2025, të cilat kanë gadalësuar reformat kyç dhe kanë krijuar kosto të vazhdueshme financiare për buxhetin e shtetit.

Kos tha se shumë reforma kanë ngecur për shkak të përsëritjes së zgjedhjeve dhe Kosova duhet ta zërë hapin pas një vitit të humbur më 2025.

“Është e rëndësishme që pasi të bëhet Kuvendi i ri, liderët politikë në Kosovë të bashkohen dhe t’i themelojnë të gjitha institucionet, përfshirë zgjedhjen e presidentit të ri përmes kompromisit dhe t’i japin fund këtij ngërçi të gjatë institucional”, tha ajo.

“Kosova ka një perspektivë të madhe evropiane. Dhe për mua personalisht, unë jam e etur për ta rritur intensitetin e punës me Kosovën pasi të jenë formuar institucionet e reja”, theksoi Kos.

SHARE