MBI 40 MUAJ PRITJE, KURTI KËRKON NGA KOMISIONERJA KOS SHPEJTIM TË ANËTARËSIMIT

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti pas takimit me Komisioren Evropiane për Zgjerim, Marta Kos ka kërkuar avancimin e aplikimit të Kosovës për fitimin e statusit kandidat për integrim në BE.

Ai ka thënë se vakuumi që po lë BE-ja ndaj Kosovës po keqpërdoret nga Serbia nëpërmjet sulmeve.

“Me komisioneren Marta Kos kemi ngritur edhe çështjen e statusit kandidat dhe të hapjes së negociatave. Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtërirë i zgjerimit nga ana e Bashkimit Evropian duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës”, tha ai në një konferencë për media.

Kurti deklaroi se në vitet e fundit, Kosova ka avancuar në përgatitjen e shumë kapitujve.

Ai tha se Kosova ka shënuar progres në nivel të moderuar të përgatitjes në pesë kapituj dhe në nivel të caktuar të përgatitjes në tetë kapituj të tjerë.

“Nga progresi i kufizuar në progres të theksuar kemi kaluar në 18 kapituj dhe nga progresi i theksuar në progres të mirë në pesë kapituj të tjerë. Pra, kemi përparim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm. Kemi kuadrin kushtetues më të avancuar për të drejtat e pakicave në rajon. Raporti i Këshillit të Evropës për vlerësimin e aplikimit tonë për anëtarësim thekson se kuadri ligjor i Kosovës, në rastin e Kushtetutës, shkon edhe përtej standardeve ndërkombëtare”, deklaroi Albin Kurti.

Ai më tej pohoi që mbështetja publike për anëtarësimin në BE, qëndron vazhdimisht rreth 90% dhe është ndër më të lartat nga të gjitha vendet kandidate.

SHARE