BIE NDJESHËM EMIGRACIONI I PALIGJSHËM NË BE

Fluksi i emigracionit të paligjshëm drejt Bashkimit Europian ka shënuar një rënie të ndjeshme, veçanërisht në itinerarin e Mesdheut.

Të dhënat më të fundit të Agjencisë Europiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, për katër muajt e parë të vitit tregojnë këtë trend.

Sipas të dhënave të Frontex, nga janari deri në fund të prillit, ka pasur një rënie prej 40% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për këtë periudhë, rreth 29,000 persona hynë në BE në mënyrë të parregullt, niveli më i ulët në vitet e fundit.

Në vitin 2023, ky numër ishte tre herë më i lartë. Rruga kryesore e hyrjes mbetet ajo e Mesdheut Qendror, me nisje nga Libia dhe mbërritje në bregdetin italian.

Pas saj vjen rruga e Mesdheut Lindor — përmes Turqisë drejt Greqisë dhe Qipros. Të dyja këto rrugë përbëjnë secila rreth një të tretën e të gjitha hyrjeve të parregullta në BE. Frontex thekson se rënia e hyrjeve lidhet me bashkëpunimin me vendet partnere, veçanërisht në bregdetin e Afrikës së Veriut.

Në këmbim të fondeve të BE-së, këto vende po pengojnë largimin e emigrantëve drejt Europës dhe po godasin rrjetet e trafikantëve.

Po ashtu, kushtet e vështira të motit në fillim të vitit duket se kanë penguar disa përpjekje për emigrim të rrezikshëm.

Megjithatë, humbjet e jetëve në Mesdhe mbeten të larta. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, deri tani këtë vit më shumë se 1,200 persona kanë humbur jetën në Mesdhe.

SHARE