Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka zhvilluar një aktivitet të intensifikuar diplomatik gjatë vizitës së tij në Berlin, me qëllim forcimin e mbështetjes ndërkombëtare për procesin e integrimit evropian të vendit dhe thellimin e marrëdhënieve me diasporën malazeze.
Gjatë takimeve me zyrtarë të lartë gjermanë, përfshirë përfaqësues të Bundestagut dhe ministrin gjerman për Evropën, Gunter Krichbaum, është theksuar rëndësia e përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Palët kanë rënë dakord se vendi ndodhet para një “dritareje mundësie”, por që përparimi varet nga reforma konkrete dhe të matshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe institucioneve.
Millatoviq ka theksuar se Mali i Zi është plotësisht i përkushtuar ndaj reformave dhe se duhet shfrytëzuar momenti aktual politik për të përshpejtuar rrugën drejt BE-së.
Ai ka deklaruar se vendi duhet të jetë aktiv në të gjitha adresat ndërkombëtare që ndikojnë në procesin e anëtarësimit dhe ka paralajmëruar vazhdimin e një “ofensivë diplomatike” për sigurimin e mbështetjes së vendeve anëtare të BE-së.
Në kuadër të vizitës, presidenti është takuar edhe me përfaqësues të diasporës malazeze në Gjermani, të cilëve u ka bërë thirrje të jenë pjesë aktive e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit.
Ai ka theksuar se diaspora përbën një urë të rëndësishme mes Malit të Zi dhe botës, si dhe një burim të rëndësishëm investimesh dhe zhvillimi.
Millatoviq ka propozuar gjithashtu idenë e obligacioneve për diasporën si një mënyrë për të mundësuar investime të drejtpërdrejta në projekte në Mal të Zi.
Ai ka nënvizuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet qëllimi kryesor strategjik i vendit dhe se suksesi në këtë proces kërkon unitet të të gjitha forcave politike dhe shoqërore, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë.









