MBAHET KONFERENCA E KATËRT NDËRQEVERITARE SHQIPËRI-BE, HAPEN NEGOCIATAT PËR KAPITUJ TË RINJ

Foto: AA

Shqipëria ka hapur sot kapituj të rinj në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE), që janë të fokusuar tek “Tregu i brendshëm”, raporton Anadolu.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryesoi delegacionin shqiptar në këto bisedime në Luksemburg, i përbërë nga ministra, zëvendësministra dhe zyrtarë të tjerë drejtues për kapituj përkatës.

Në përfundim të punimeve të konferencës ndërqeveritare, kryeministri Rama, komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ministri polak i Punëve të Jashtme, Radoslaw Sikorski, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së, zhvilluan një konferencë të përbashkët për mediat.

Kryeministri Rama u shpreh se për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është shumë më tepër sesa një ambicie politike apo ekonomike.

“Jemi absolutisht po kaq mirënjohës ndaj të gjitha shteteve anëtare të BE-së për mbështetjen e tyre. Së bashku me Komisionin( Evropian) dhe nën udhëheqjen mjaft të disiplinuar të Martës, kemi rënë dakord për një agjendë mjaft ambicioze. Po presim me padurim që të sigurohemi së bashku që brenda 2027 të gjithë grupkapitujt jo vetëm të jenë çelur, por edhe të jenë mbyllur”, tha Rama.

Në lidhje me ecurinë e procesit të integrimit evropian, Rama theksoi se rikonfimojnë vullnetin e fortë për të arritur objektivin.

Komisarja e BE-së për Zgjerimin, Kos, tha se do të donin të çelnin të gjithë kapitujt dhe shtoi se plani është të çelin gjithë kapitujt këtë vit

“Po punojmë me një ritëm shumë ambicioz. Nëse Shqipëria realizon zbatimin e reformave të nevojshme, unë do të jem avokati juaj më i mirë në Bruksel dhe në të gjitha shtetet anëtare. Mesazhi im për qytetarët shqiptarë është i qartë: E ardhmja e Shqipërisë është padyshim në BE”, tha ajo.

Ministri Sikorski u shpreh se konferenca e sotme ndërqeveritare shënon një hap shumë të rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në BE.

Ai theksoi se kapitujt që hapën sot janë jetikë për integrimin ekonomik të Shqipërisë në tregun e brendshëm të BE-së.

“Reformat e nevojshme do të çojnë në përputhshmëri ekonomike me BE-në, do të rrisin mundësitë tregtare dhe po kështu do ta bëjnë Shqipërinë më tërheqëse për investimet”, tha Sikorski.

Ministri Sikorski theksoi ndër të tjera se Presidenca polake e Bashkimit Evropian mbështet një zgjerim të BE-së të bazuar në meritë

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014. Konferenca e parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së është mbajtur në korrik 2022. Në tetor 2024 u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare, duke shënuar hapjen zyrtare të negociatave për grupkapitujt e parë, ndërsa konferenca e tretë ndërqeveritare u mbajt në dhjetor 2024.

SHARE