KOSOVË, U HAP FORUMI NDËRKOMBËTAR PËR GRATË, PAQEN DHE SIGURINË

Ka filluar punimet dyditore Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në Prishtinë më 15 dhe 16 prill. 

Në këtë forum ku nikoqire është presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, janë të pranishëm rreth 500 pjesëmarrës nga 33 shtete, me qëllim të bashkëpunimit për siguri e paqe të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Gjatë Forumit është bërë nënshkrimi për hapjen e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se lufta për drejtësi për gratë nuk është punë e vetëm një misioni apo forumi, por është mision i jetës.

Ajo tha se nuk mund që në raste të tilla të mos i përmend gratë nga e gjithë bota të cilat po kalojnë në konflikte.

“Këto gra të kapur në mes të një përplasje të vazhdueshme durojnë vështirësi të paimagjinueshme, duke humbur shtëpitë, duke humbur të dashurit e tyre, duke humbur jetët. Megjithatë, mes kaosit ka një shpirt që mbetet i pathyer. Ato luftojnë të palodhura për mbijetesë, ato luftojnë për të mbrojtur të tjerët, familjet e tyre, ato luftojnë për vendet e tyre dhe më e rëndësishmja, ato luftojnë për liri”, theksoi Osmani.

Osmani tutje tha se edhe gratë në Kosovë kanë mbijetuar në kohët më të dhimbshme dhe se “rrugëtimi i tyre nuk ka qenë i lehtë”.

Presidenti i Shqipërsië, Bajram Begaj, theksoi se Ballkani Perëndimor ka qenë dëshmitar i konflikteve të përgjakshme, që kanë lënë “shenja të paharrueshme mbi tokat tona dhe zemrat tona” dhe do të qëndrojnë në kujtesën tonë historike përgjithmonë.

Begaj tha se në mesin e atyre që e kanë bartur barrën e këtyre konflikteve ishin edhe gratë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, tha se si një vend aktiv anëtar i NATO-s, Maqedonia e Veriut mbështetë zbatimin e politikës për gratë paqen dhe sigurinë.

Ai tha se është e padiskutueshme që çështjet gjinore në Maqedoninë e Veriut në masë të madhe po fitojnë hapësirë dhe po bëhen prioritete përmes reformave që Qeveria filloi t’i zbatojë në vitin 2017 dhe para anëtarësimit të plotë në NATO.

Tema kyçe e edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është dhuna seksuale gjatë luftës. Në edicionin e parë të Forumit u diskutua për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë dhe mirëqenien e grave në mbarë botën.

SHARE