KURTI PARALAJMËRON BISEDIME PËR MBAJTJEN E ZGJEDHJEVE TË SERBISË NË KOSOVË

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të martën, 15 mars, se është në kontakt me ambasadat e Kuintit dhe të Bashkimit Evropian, që të gjendet një zgjidhje për serbet e Kosovës që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit në Serbi. Kurti ka thënë se Qeveria synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por edhe të mos cenohet shtetësia e Kosovës. “Konsiderojmë që në njërën anë, nuk duhet t’iu pamundësojmë serbëve në Kosovë, që e kanë përveçse nënshtetësinë e Kosovës edhe atë të Serbisë, ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër, kushtetushmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e Kuvendit – e 15 janarit – neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhjeje që do të marrim në të ardhmen”. Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshime kushtetuese. Rezolutat e miratuara nga Kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.

SHARE