Bashkimi Evropian miratoi të martën një rund të ri sanksionesh kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës. Sanksionet përfshijnë ndalesa të investimeve në sektorin energjetik rus, në eksportet e mallrave luksoze dhe në importet e produkteve të çelikut nga Rusia. Sanksionet, që hyjnë në fuqi pas publikimit në gazetën zyrtare të BE-së gjatë ditës së sotme, ngrijnë edhe asetet e shumë udhëheqësve të biznesit, që mbështesin shtetin rus – në mesin e tyre edhe pronari i klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich. Burime të BE-së i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se sanksionet do të godasin kompanitë kryesore të naftës në Rusi – Rosneft, Transneft dhe Gazprom Neft – edhe pse vendet anëtare të BE-së do të mund të vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz prej tyre. Sanksionet e fundit pasojnë tri runde të tjera masash ndëshkuese, të cilat kanë përfshirë ngrirjen e aktiviteteve të Bankës Qendrore të Rusisë dhe përjashtimin nga sistemi bankar SWIFT i disa bankave ruse dhe bjelloruse. Në përgjigje të pushtimit të Ukrainës, SHBA-ja ka miratuar po ashtu një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë – përfshirë ndalimin e importit të naftës së saj.