MILLATOVIQ NË KONFERENCËN E SIGURISË NË MYNIH

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, sot do të udhëtojë për në Mynih, ku me ftesë të Christoph Heusgen, do të marrë pjesë në Konferencën e 60-të të Sigurisë në Mynih.

Sipas Kabinetit të Presidentit, kjo konferencë do të jetë një mundësi që presidenti të takohet me liderë të shumtë nga Evropa dhe bota dhe t’i informojë ata për rezultatet e arritura të Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit në BE, si dhe për forcimin e besueshmërisë së Malit të Zi si një anëtare e NATO-s.

Gjatë qëndrimit në Mynih, Millatoviq ndër të tjera do të takohet edhe me presidentët e Republikës Çeke, Letonisë dhe Lituanisë.

Konferenca e Mynihut është forumi kryesor botëror për shkëmbimin e mendimeve mbi politikën ndërkombëtare të sigurisë, e cila, që nga fillimi i saj, mbledh vendimmarrësit dhe shtetarët më të rëndësishëm nga e gjithë bota.

SHARE