RAMA NË OKB: TË DREJTAT E NJERIUT PRIORITET I SHQIPËRISË NË KËSHILLIN E SIGURIMIT

Kryeministri Edi Rama ka folur në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të përkohshëm të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York. Rama ka theksuar se detyra e një vendi të vogël si Shqipëria është që të kontribuoj për paqen. “Kjo është një ngjarje me rëndësi historike për Shqipërinë, që shënon edhe një tjetër gur themelor në rrugën tonë të transformimit për të përmbushur aspiratat tona si komb dhe për të kontribuar që ta bëjmë botën një vend më të mirë për ne dhe për të gjithë”, ka thënë Rama. Ai ka shtuar se e drejta ndërkombëtare dhe të drejta e njeriut janë prioritete të Shqipërisë në mandatin e saj si anëtare e Këshillit të Sigurimit. Rama ka theksuar se Shqipëria nuk i sjell fuqi materiale Këshillit të Sigurimit, por vlerat dhe normat e saj si kontribut për paqen. “Mënyra jonë e drejtpërdrejtë për të kontribuar në lehtësimin e vuajtjes së atyre në nevojë ka qenë të japim atë çka kemi, kur kemi mundur, kur është dashur ta bëjmë”, ka shtuar ai. Gjithashtu ai ka thënë se Shqipëria i ka hapur shtëpitë për hebrenjtë gjatë Holokaustit në Luftën e Dytë Botërore, kur Shqipëria u bë i vetmi vend që kishte më shumë hebrenj pas luftës sesa përpara saj dhe ka strehuar gjithashtu gjysmë milionë shtetas nga Kosova, që iknin nga spastrimi etnik i regjimit mizor të Sllobodan Milosheviçit. Kryeministri ka përmendur edhe strehimin e mijëra pjesëtarë të organizatës MEK dhe, së fundi, strehimin e mijëra afganë që u arratisën nga reprezaljet e talebanëve, duke shtuar se ulja e Shqipërisë në tryezën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka qenë e pa imagjinueshme veç tre dekada më parë.

SHARE