MALI I ZI DHE KOSOVA, ZOTOHEN PËR BASHKËPUNIM DREJT INTEGRIMEVE EUROATLANTIKE

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, vazhdoi edhe ditën e sotme vizitën e tij në Kosovë, ku takua me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe Kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin.

Markoviq, gjatë ditës së djeshme, me të arritur në Kosovë, u takua me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku edhe diskutuan për çështje të shumta, ndër to edhe për Demarkacionin e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Kurse gjatë takimit të sotëm ne mes Markoviq dhe Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, deklaroi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duhet dhe mund të jenë model për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Markoviq me këtë rast uroi Presidentin e Kosovës për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke shprehur se kjo është një datë e rëndësishme për Kosovën.

Në një deklaratë të Qeverisë së MZ, thuhet se në bisedat e Markoviq me Thaçin dhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike të dy vendeve fqinje dhe miqësore, duke vlerësuar  se si Mali i Zi, ashtu edhe Kosova kanë vizion të qartë për të ardhmen e tyre në integrimet evropiane.

Markoviq, duke u uruar zyrtarëve të lartë të Kosovës për dhjetë vjetorin e pavarësisë, përsëri theksoi rëndësinë e zbatimit të të gjitha vendimeve lidhur me statusin e bashkësisë nacionale malazeze në Kosovë.

“Në këtë kontekst, kryeministri i MZ, Dushko Markoviq,  vuri në dukje të gjitha të drejtat që gëzojnë pjesëtarët e bashkësisë shqiptare në Mal të Zi.  Me këtë rast  u arrit një marrëveshje e plotë për nevojën e veprimeve konkrete të dy qeverive për një lidhje më të mirë të infrastrukturës dhe thellimin e përgjithshëm të lidhjeve ekonomike”, kumtuan nga Qeveria e Malit të Zi.

Ndërsa gjatë takimit të Markoviq me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, bashkëbiseduesin theksuan se Kosova dhe Mali i Zi janë shtete mike, që kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë njëra-tjetrën në integrimet euroatlantike.

Në këtë drejtim si Veseli po ashtu edhe Markoviq shprehën gatishmërinë për të zgjidhur me dialog çdo çështje në mes tyre, përfshirë këtu  edhe demarkacionin e Kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, i cili aktualisht, në versionin aktual kundërshtohet nga partia e Kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, AAK, Nisma Për Kosovën e Fatmir Limaj dhe Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit.

Veseli theksoi nevojën që kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës dhe që të dy vendet, Kosova dhe Mali i Zi, përveç në integrimet euro-atlantike, të punojnë ngushtë edhe në forcimin e raporteve ekonomike.

SHARE