Për gjashtë orë radhazi Rusia ka sulmuar me dronë jugun e Ukrainës, duke plagosur të paktën 11 persona, përfshirë tre fëmijë, dhe duke shkaktuar dëme të mëdha ndaj infrastrukturës civile dhe atë të portit në rajonin e Odesës dhe në zonën e Danubit afër kufirit me Rumaninë.
Sipas forcës jugore të mbrojtjes së Ukrainës, mbrojtja ajrore e vendit ka shkatërruar dy dronë në rajonin e Hersonit, pesë në rajonin e Mikolajivit, dhe 32 në rajonin e Odesës.
Në qytetin e Odesës janë dëmtuar dhjetëra ndërtesa. Guvernatori rajonal i Odesës, Oleh Kiper, tha se janë dëmtuar edhe dy magazina drithërash në portin e Izmajilit.
Në Rusi ndërkohë, dy dronë u rrëzuan mbi Moskë nga mbrojtja ajrore dhe lajmi është konfirmuar nga kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobianin.
Sipas tij, nuk ka patur lëndime apo dëme serioze si pasojë e këtyre sulmeve.
Agjencia ruse e lajmeve Interfaks, citon në anën tjetër ministrin rus të mbrojtjes që thotë se mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar nëntë dronë ukrainas mbi rajonet e kalugës dhe të moskës, orët e para të së enjtes.